LISTA/ Lojtarët dhe trajnerët më të paguar në botë (FOTO LAJM)

France Football e publikon çdo vit që nga 1999-ta listën e lojtarëve më të paguar në botë dhe kjo revistë prestigjioze franceze pretendon se Lionel Messi do t’i fitojë rreth 131 milionë euro këtë vit, përmes pagës, bonuseve dhe përfitimeve nga reklamat.

Sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo, është në vendin e dytë dhe ai pritet t’i fitojë 118 milionë euro këtë vit, pesë milionë euro më shumë sesa vitin e kaluar. Top treshen e kompleton Neymari i Paris Saint-Germainit, i cili pritet t’i fitojë rreth 95 milionë euro, 4.5 më shumë sesa sezonin e kaluar.

Sa u përket trajnerëve, Diego Simeone i Atletico Madridit është trajneri më i paguar në botë dhe ai pritet ta mbyllë vitin me 40.5 milionë euro të fituara, duke i lënë pas Antonio Conten e Interit (30 milionë) dhe Pep Guardiolën e Manchester Cityt (27.5 milionë).

Shifrat për djemtë në futboll janë në mënyrë drastike të ndryshme me ato të vajzave. Futbollistja më e paguar në botë është amerikania Carli Lloyd. 37-vjeçarja luan për Sky Blue Footbal Clup në ligën amerikane të futbollit dhe do t’i fitojë këtë vit 480 mijë euro.

Bashkëkombësja e saj, Megan Rapinoe, radhitet e dyta me 415 mijë euro, ndërsa norvegjezja Ada Hegerberg e Olympique Lyon e kompleton top treshen me 400 mijë euro në vit. /


Shtuar 24.03.2020 08:45