Ivanoviq: Rreziku vjen nga Pieter Feith
Pëlqej
Albeu.com
Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në qeverinë serbe, Oliver Ivanoviq ka deklaruar se dokumenti gjashtëpikësh, për të cilën janë pajtuar Kombet e Bashkuara dhe Serbia, bazohet në respektimin e Rezolutës 1244.
Ai ka thënë se një EULEX që i merr parasysh kërkesat e Serbisë, nuk mund të jetë i rrezikshëm për serbët, ndërsa rrezik, sipas tij, paraqet Zyra e përfaqësuesit civil ndërkombëtar, Pieter Feith.

Në një intervistë për gazetën ”Novosti”, Ivanoviq ka thënë se Rezoluta 1244 “mbron sovranitetin dhe integritetin e Serbisë”, dhe ka shtuar se dy pikat e para – që kanë të bëjnë me policinë dhe gjyqësinë – janë dominante në këtë dokument, për shkak se, sipas tij, “ato janë jetike për mbijetesën e serbëve në Kosovë”.

Ivanoviq ka thënë se pala serbe ka insistuar në mbijetesën e serbëve në Kosovë, dhe kjo gjë sipas tij, “është e mundur vetëm nëse ata nuk marrin pjesë në institucionet e Kosovës – ngase nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”. Kjo është arsyeja, sipas Ivanoviqit, pse serbët insistojnë në vazhdimin e bashkëpunimit me UNMIK-un.

I pyetur se kur pritet vendosja e EULEX-it në Kosovë, pasi ky mision mund të ndryshojë këtë plan, Ivanoviq ka thënë se, “zbatimi i planit në terren mund të vije menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit”.

"Misioni EULEX, me këtë rast do të mund të vendosej në terren, por fillimisht në zonat shqiptare, ndërsa më pastaj në ato serbe. Në këtë mënyrë, popullatës serbe do t’i jepej kohë që të bindet se kërkesat tona janë miratuar, që EULEX-i të jetë neutral ndaj statusit dhe se nuk do ta zbatojë Planin e Martti Ahtisaarit”, ka thënë ai.

Ivanoviq ka thënë se nëse EULEX-i pranon tri kërkesat e Serbisë, të jetë i miratuar në OKB, të jetë neutral ndaj statusit dhe të mos e zbatojë Planin e Martti Ahtisaarit, atëherë “ky mision assesi nuk mund të jetë i rrezikshëm për serbët”.

Rrezik, sipas Ivanoviqit, paraqet zyra e Pieter Feithit. "Rrezik paraqet vetëm Zyra Civile Ndërkombëtare, në krye me Pieter Feith, e cila është deklaruar qartë se mbështet pavarësinë e Kosovë dhe planifikon të zbatojë Planin e Ahtisaarit”.

Ivanoviq po ashtu ka thënë se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht dhe ka shtuar se, ”kjo është një periudhë tranzicioni”. Ai mendon se statusi i Kosovës duhet të shqyrtohet sërish, dhe ka shtuar se nuk duhet përjashtuar faktin se Kosovën tashmë e kanë njohur 52 shtete. (Telegrafi)
Shtuar më 24/11/2008, ora 16:13
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori