Ivanov dhe Turk uruan Sejdiun
Albeu.com
Presidenti i Sllovenisë, Danillo Tùrk dhe presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov uruan të premten presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu me rastin e përvjetorit të dytë të pavarësisë.
Në mesazhin e urimit të presidentit slloven Danilo Tùrk me rastin e përvjetorit të pavarësisë thuhet se Republika e Sllovenisë do të vazhdojë të ndihmojë Republikën e Kosovës për t’u afruar me strukturat euroatlantike, në procesin e integrimit në organizatat ndërkombëtar dhe për zhvillimin e reformave institucionale.

“Është kënaqësi e madhe për mua që, në emër të qytetarëve të Republikës së Sllovenisë dhe në emrin tim, t’ju përcjell Ju urimet për përvjetorin e dytë të pavarësisë të Republikës së Kosovës dhe të shpreh urimet më të mira për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit tuaj”, thuhet në mesazhin e urimit.

Presidenti slloven më tej shprehet se hapja së fundmi e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Slloveni do të ndikojë fuqishëm në bashkëpunimin midis dy vendeve.

“Së bashku, ne kemi vendosur marrëdhënie të shkëlqyera miqësore dypalëshe, të cilat nuk janë të ngarkuara me çështje të pazgjidhura. Unë jam i bindur se ne do ta vazhdojmë dialogun intensiv politik dhe në të njëjtën kohë do ta përforcojmë bashkëpunimin ekonomik, duke ofruar një mori mundësish të reja”, shkruhet më tej në letrën e presidentit slloven.

Në prag të përvjetorit të dytë të shpalljes së pavarësisë së vendit, edhe presidenti maqedonas Gjorge Ivanov uroi presidentin Sejdiu dhe qytetarët e Kosovës.

“Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës ma ofron kënaqësinë e veçantë që, në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe në emrin tim personal, t’jua përcjell urimet e mia më të përzemërta për prosperitet në vendin tuaj dhe për mirëqenie të qytetarëve të tij”, thuhet në letër.

Presidenti maqedonas shpreh besimin e thellë se, me anë të përpjekjeve të përbashkëta në periudhën në vijim, do të forcohen marrëdhëniet e ndërsjella dhe do të kultivohet bashkëpunimi në të gjitha sferat, me interes të përbashkët.

“Unë pres që, në periudhën në vijim, kontaktet midis dy vendeve tona të intensifikohen më tej në të gjitha nivelet. Kjo është mënyra me e sigurt për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por edhe domosdo për shtimin e bashkëpunimit. Kjo është mënyra më e mirë për t’i kontribuuar synimit tonë të përbashkët, stabilitetit, prosperitetit dhe mirëqenies së rajonit tonë”, thuhet në mesazhin e urimit të presidentit maqedonas.
Shtuar më 12/02/2010, ora 21:24
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori