Italia në edicionin e IX të Festivalit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut
Pëlqej
Nga data 22 deri në 28 shtator në Tiranë do të zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut.
Edicioni i IX i këtij Festivali ka si qëllim të sensibilizojë publikun shqiptar mbi temat e të drejtave të njeriut në erën dixhitale.

Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, për të katërtin vit radhazi, bashkëpunon me organizatorët e Festivalit për të mbështetur pjesëmarrjen e veprave italiane në këtë eveniment.
Të mërkurën më datë 24 shtator, në orën 19.00 do projektohet filmi, La mia Classe i Daniele Gaglianone-s, një film dramatik që paraqitet si një docu-fiction.

Eshtë historia e një mësuesi që jep mësime italishteje një klase me të huaj që luajnë rolin e vetes së tyre. Studentët vijnë nga vende të ndryshme të botës dhe secili prej tyre sjell në klasë botën e tij. Gjatë xhirimeve ndodh një fakt dhe për pasojë realiteti bëhet baza e skenografisë. Regjizori jep Stop-in, por e gjithë trupa hyn në fushë: tanimë të gjithë bëhen aktorë të një historie të vetme , në një film që shndërrohet në një ‘trillim të vërtetë’.
Të enjten më datë 25 shtator, në orën 18.30, do të shfaqet dokumentari italo-turk Capulcu: Voice from Gezi, një film kolektiv për realizimin e të cilit ka kontribuar Insolito Cinema bashkë me Benedetta Argentieri-n, Claudio Casazza-n, Carlo Prevosti-n, Duccio Servi-n, Stefano Zoja-n. Filmi tregon si në një fotografi atë që kemi parë dhe atë që na është treguar për sa i përket Gezi Park-ut, në Stamboll. Imazhet paraqesin okupimin paqësor të Gezi Park-ut, entuziazmin dhe kundërshtimin ndaj një zgjedhjeje absurde; dhunën e shtypjes, shqetësimin e të qenit të “dhunuar”; shpikjen e protestës së heshtur dhe turmën e sheshit Taksim.

Në Festival do të prezantohen si premierë disa sekuenca të dokumentarit kolektiv, prodhuar gjatë shkëmbimit Tirana-Modena: Cinema and Memories, që ka përfshirë gjashtë video maker të rinj italianë dhe gjashtë studentë shqiptarë të Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi. Dokumentari është realizuar në një traget linje që lidh Italinë me Shqipërinë.
Projekti, me pjesëmarrjen e Roland Sejkos, Fatos Lubonjës, Maurizio Braucci-t, Goffredo Fofi-t dhe Antonio Caiazza-s, ka si drejtorë artistikë dy regjizorët italianë, Pietro Marcello-n dhe Daniele Gaglianone-n.

Të premten më datë 26 shtator në orën 19.00 në hollin e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, në Pallatin e Kulturës, në kuadër të projektit: Shqipëri – Itali, dy anë të të njëjtit det, promovuar nga Moxa Modena me kontributin e Regione Emilia Romagna-s dhe Institutit Italian të Kulturës do organizohet ekspozita “l’Italia riscopre l’Albania – Italia rizbulon Shqipërinë” dhe do prezantohet një katalog me të njëjtin titull. Ekspozita, që përbëhet nga 11 panele, i jep vizituesve, nëpërmjet imazheve emblematike, copëza të të jetuarit brezash të tërë, nga të cilat del në pah një urë konstante mes dy brigjeve të të njëjtit det, herë dramatik dhe konfliktual dhe herë të tjera një raport të përbashkët dhe solidal, që sheh sot shkëmbime paqësore personash, idesh dhe tregëtie. Kjo ekspozitë është frut e një bashkëpunimi dhe kooperimi të vazhdueshëm mes Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Akademisë Marubi dhe Moxa Modena, partner edhe gjatë vitit të kaluar për një aktivitet të ngjashëm. Materialet e ekspozitës janë rekuperuar nga arkivat e mëposhtme: Fototeka Marubi, Arkivi Kombëtar i Tiranës, Shkolla Shqiptare e Fotografisë, por edhe nga disa arkiva private.
Shtuar më 22/09/2014, ora 17:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori