“Mi mori im bir”, 18-vjeçari në Tiranë i vidhte babait para për drogë dhe bixhoz, lekët i kishte fshehur te fqinji

Detaje të reja dalin në lidhje me rastin e pazakontë në Vaqarr të Tiranës, ku djali 18-vjeçar vidhte në mënyrë të përsëritur para nga babai i tij.
Babai i 18-vjeçarit mësohet se ka thënë në polici se paratë ia mori i biri dhe se ishte i bindur për këtë.

Pas kallëzimit të 45-vjeçarit, policia shoqëroi për ta marrë në pyetje Renis Ukun, 18 vjeç.

Fillimisht, para hetuesve i riu nuk pranoi se kishte marrë paratë në shtëpinë e tij, por shumë shpejt zbardhi çdo gjë.

Shumën prej 104 mijë lekëve që vodhi dje, ai u tha hetuesve se e kishte fshehur te shtëpia e komshiut, në një vend të fshehtë, pa dijenin e të atit.

Agjentët e policisë e gjetën vendin dhe brenda tij edhe paratë, të paprekura, siç i vodhi në shtëpinë e tij.

18-vjeçari u tha hetuesve se ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe herë pas here luante edhe bixhoz, çfarë e detyronte që të vidhte në shtëpinë e tij.

Por, Uku nuk ka vjedhur vetëm në familje, ai rezulton hajdut edhe në raste të tjera në Tiranë dhe Durrës.

Para hetuesve ka pranuar se ka vjedhur në shtëpi të tjera, çfarë i dilte përpara, sende me vlerë dhe kryesisht para.

Hetuesit po punojnë për të dokumentuar të plotë të gjithë veprimtarinë kriminale edhe me rastet e tjera që kanë mbetur të pazbardhura të thyerjeve të banesave./albeu.com/


Shtuar 26.07.2023 12:39