Italia do ndihmojë në identifikimin nga ajri të parcelave me kanabis
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka pritur në një takim në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ambasadorin italian Massimo Gaiani. Ne takim janë vlerësuar marrëdhëniet e dy vendeve, ndërsa drejtori Çako ka falenderuar palën italiane për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë dhe jep për policinë shqiptare.

Takimi ka vijuar me trajtimin e disa argumenteve të përgjithshme në kuadër të një bashkëpunimi poliedrik mes dy vendeve, persa i përket argumenteve në fushën policore, takimi u përqendrua në tre pika kryesore:

Së pari në bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm dhe riafirmimi i vazhdimësisë së këtij bashkëpunimi në mënyrë më të intensifikuar, ku Drejtori i Policisë së Shtetit Drejtues, Madhor Haki ÇAKO theksoi se në këtë bashkëpunim, meritë e veçantë i kushtohet edhe mbështetjes që zoti Ambasador i Italisë në Tiranë ka luajtur dhe vazhdon të luaj.

Pika e dytë, e trajtuar lidhet me ripërsëritjen e misionit të avionëve të mbikëqyrjes ajrore të territorit nga Guardia di Finanza në bashkëpunim me Universitetin e Napolit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Brendshme të Italisë, për identifikimin e parcelave me kanabis në territorin e vendit tonë. Mision ky, i konsideruar i suksesshëm për vitet 2012 e 2013 dhe në veçanti vitin e kaluar.

Ambasadori ka theksuar se edhe për këtë vit, Italia ka siguruar fondet për kryerjen e këtij misioni të konsideruar të rëndësishëm nga të dy palët. Në lidhje me këtë mision, Drejtori i Policisë së Shtetit ofroi gatishmërinë e tij dhe të Policisë së Shtetit për mbështetje të plotë të misionit.

Ambasadori Italian, Z.Massimo Gaiani falenderoi për këtë mbështetje dhe theksoi se Policia e Shtetit shqiptar ka demonstruar një rritje të efikasitetit të saj në operacione të tilla dhe kujtoi meritën e veçantë të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Z. Haki ÇAKO, në pozicionin e Drejtorit të Policisë së Qarkut Gjirokastër si një nga drejtuesit kryesorë të operacionit kundër kultivimit të bimëve narkotike në Lazarat.

Gjithashtu Ambasadori i Italisë në vendin tonë vlerësoi faktin se Policia e Shtetit i ka kushtuar vëmendje të veçantë ruajtjes së vazhdimësisë duke dedikuar persona të njëjtë në koordinimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Sa i përket misionit italian, pala italiane do të kryej së shpejti një mision vlerësues për fillimin efektiv të misionit.

Së treti, shkëlqesia e tij, z. Ambasador kërkoi mbështetje të palës shqiptare në lidhje me angazhimet e Italisë në Panairin Ndërkombëtar “Expo Milano 2015”, i cili do të zhvillohet në Milano të Italisë, përsa i përket shkëmbimit të informacioneve për akte terroriste apo për akte të tjera të sferës kriminale që mund të përgatiten nga elementë kriminalë terroristë apo organizata terroriste.

Për këtë, nga ana e Drejtorit të Policisë së Shtetit, drejtues madhor Haki Çako, i'u garantua zotit ambasador bashkëpunim maksimal. Drejtori i Policisë së Shtetit theksoi gjithashtu se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në luftën kundër fenomeneve kriminale në përgjithësi dhe të atyre të natyrës terroriste në veçanti dhe në këtë drejtim, bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është një nga prioritetet tona mbështetur edhe në Strategjinë e Policisë së Shtetit. /albeu.com/



Shtuar më 27/04/2015, ora 16:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori