Itali, nga sot emigracioni eshte krim
Albeu.com
Në Itali ka hyrë zyrtarisht në fuqi ligji që ashpërson luftën kundër kriminalitetit dhe imigracionit klandestin dhe që mund të dënohet tashmë me pesë mijë deri në 10 mijë euro.Ligji ka hyrë zyrtarisht në fuqi, me botimin në Fletoren Zyrtare të dekreteve për zbatim. Ky ligj i miratuar përfundimisht nga parlamenti italian në fillim të korrikut, parashikon kështu që hyrja ose qëndrimi ilegal në territor italian të konsiderohen shkelje ligjore dhe të dënohen me një gjobë prej pesë mijë deri me 10 mijë euro.

Qëndirmi i emigrantëve klandestinë në qendrat e identifikimit dhe të dëbimit kalon nga dy muaj deri në gjashtë muaj, ndërsa personat që u japin shtëpi me qira klandestinëve apo i strehojnë ata rrezikojnë deri në tre vjet burg.

Masat e tjera të këtij ligji shumë të polemizuar parashikojnë gjithashtu një regjistër për të pastrehët që do të skedohen nga Ministria e Brendshme italiane. Ligji parashikon gjithashtu edhe një shkelje tjetër, që mund të dënohet deri në tre vjet burg për mashtrim të forcave të rendit. Ai forcon gjithashtu masat e izolimit të bosëve të mafias, duke parashikuar burgje speciale për ta.

Ligji që ka hyrë në fuqi ka të bëjë gjithashtu me sigurinë rrugore dhe parashikon masa më të ashpra për personat që i japin makinës nën efektin e alkoolit, por gjithashtu një ashpërsim të dënimeve për thyerje të kodit rrugor që kryhen natën nga ora 19:00 të mbrëmjes deri në 07:00 të mëngjesit. Ai parashikon më në fund edhe mundësinë e heqjes së pikëve të patentës edhe nëse shkelja kryhet në timonin e një biçiklete.
Shtuar më 09/08/2009, ora 17:06
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori