Isufi: Thaci premton si "babadimer"
Albeu.com
Duke iu referuar vizitave të shpeshta të kryeministrit Hashim Thaçi në Gjilan dhe ofertës së tij prej 100 milionë eurosh, kandidati i AAK-së për kryetar të Gjilanit Ahmet Isufi, tha se ato janë premtime pa mbulesë, por edhe si të tilla janë diskriminuese për Gjilanin.Isufi, në një konferencë për media, ka thënë të shtunën se, tani “babadimri” është shfaqur në këto zgjedhje, por jo ai i Vitit të Ri, por i fushatës zgjedhore dhe se premtimet të cilat po ofrohen për Gjilanin janë diskriminuese.

“Gjilani është i diskriminuar edhe në propozimin e buxhetit që i ofrohet si përkrahje dhe kjo shihet kur bëhen krahasime me komunat tjera. Gjilanit iu është thënë se do t'i jepen 100 milionë, Ferizajt 120 milionë, Prizrenit 170 milionë, Pejës 155 milionë, Gjakovës 130 milionë dhe ndonjë komune tjetër një shumë tjetër, e që kur krahasohen kapacitetet qoftë territoriale, qoftë të banorëve në këto komuna, shihet se Gjilani është i diskriminuar në fushatë edhe me premtimet", ka thënë Isufi.

Duke iu referuar asaj se sa është investuar në Gjilan me buxhetin e kaluar dhe sa janë premtimet tani, sipas Isufit edhe në këtë rast kemi një injorim për Gjilanin, pasi sipas tij, Gjilani është pikë neuralgjike në kuptimit e ndjenjës për zhvillim që duhet të ketë një qeveri.

"Konsideroj se trekëndëshi Preshevë-Kumanovë-Gjilan është me rëndësi vitale për shqiptarët, andaj interesimi është dashur të jetë dyfish më i madh për Gjilanin, por qeverisja aktuale nuk brengoset fare, madje flet për shuma të cilat janë të taksapaguesve dhe dikush paska të drejtë të ndajë sa të dojë nëpër fushatë", ka thënë ai.

Sipas tij, premtimet e kryeministrit Thaçi janë vetëm mashtrime, ndërsa shfaqi shpresën se gjilanasit në ditën e votimeve do të dinë të përcaktohen për njerëz të besuar. (rtv21/albeu)
Shtuar më 24/10/2009, ora 22:07
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori