Nuk i shkojnë studentët, Rama i ulëret rektorëve dhe dekanëve
Isufaj-Pollos :Mjerë ai që s’ka ç’thotë, por dhe s’ka aq mend sa të hesht
Pëlqej
Drejtoreshah e Inspektimit të Ligjshmërisë pranë Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit reagon ndaj deklaratës së deputetit të PD-së, Genc Pollo i cili kërkoi sot që Ministrja e Arsimit Nikolla duhet të mbajë përgjegjësi për mashtrimin e me doktoratën e Isufajt.

Përmes një letre të hapur, ajo akuzon Pollon se po përgojon e përdhos dhunshëm jetëshkrimin e saj dhe vazhdon të shpifë


Ja letra publike e Ejona Isufaj ndaj Z.Pollo
I nderuar Z. Pollo
Dua t'ju bëj me dije fillimisht se akuzave tuaja, bërë publikisht nga foltorja e partisë, se unë, Ejona Isufaj, paskam përdorur një dokument fals, iu përgjigja menjëherë me mjete ligjore. Por, e shoh të udhës t'jua them edhe publikisht disa fjalë, si vajzë, si qytetare e si nëpunëse e kësaj republike, e dhunuar verbalisht në publik nga opozita politike e vendit tim.
Vendosa t'jua them juve se ndryshe nga të tjerë opozitarë dhunues të emrit e të dinjitetit tim gjatë këtyre ditëve, ju keni qenë edhe ministër i arsimit dhe padyshim jeni një ndër ata që më së paku duhet të heshtnin teksa shteti po bën më në fund detyrën ndaj arsimit të lartë.
Faktin që unë s'kam përdorur një dokument fals, kam bindje se ju e kuptoni mjaft mirë. Ajo që ju lini jashtë vëmendjes suaj për të "argumentuar" dhunën verbale ndaj meje, është se unë ashtu si shumë të tjerë humba 3 vjet nga jeta ime, duke studiuar në një program të cilin qeveria e asaj kohe (kur pikërisht ju ishit ministër) e lejoi të funksiononte normalisht.
Besoj se ne njerëzve të thjeshtë na falet të jemi edhe të shurdhër, e pafalshme është kur janë memec institucionet shtetërore, siç ka ndodhur në rastin konkret, ku në papërgjegjshmëri të plotë nuk morën atëherë mundimin të njoftonin studentët që humbnin investimin e tyre dhe kursimet e prindërve gjatë kohës që shteti flinte.
Zoti ish-ministër i Arsimit
Meqenëse keni përgojuar e përdhosur dhunshëm jetëshkrimin tim dhe vazhdoni të shpifni ndaj meje për shkak të pozicionit tim të punës, po ju sqaroj se:
Së pari, unë jam drejtore e një drejtorie në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, dhe jo kryeinspektore, siç paturpësisht keni vënë tellallin ju e kolegët tuaj të partisë për ta bërë më buçitëse shpifjen tuaj.
Së dyti, për pozicionin që kam plotësoj të gjitha kriteret ligjore. Zoti Pollo, unë jam diplomuar për shkenca politike pranë Universitetit të Sienës, një nga universitetet më prestigjioze në Itali, siç me siguri e dini edhe ju.
Por, unë dhe ju Z. Pollo i përkasim dy sistemeve të ndryshme mendimi. Ju ushqeheni duke gënjyer dhe i thoni vetes politikan, madje opozitar sot. Unë ushqehem duke punuar dhe i them vetes qytetare. Unë besoj tek shteti që nuk i shmanget përgjegjësisë, por është aty për t’i shërbyer qytetarëve. Kurse ju besoni se çdo mjet justifikon qëllimin dhe jeni gati të shpifni për një grua publikisht për të arritur qëllimin tuaj që është fitorja e një lufte të paskrupullt për pushtet.
Dhe e treta Z. Pollo
Unë kam fatin e madh të punoj sot, me përkushtim, ditë mbas dite, në një institucion i cili respekton qytetarët dhe interesohet për ta. Ky institucion quhet Ministria e Arsimit dhe Sportit që më në fund po bën atë që nuk e bëtë ju e kolegët tuaj politikanë në 20 vjet: Po u jep studentëve shqiptar mundësinë që të arsimohen në institucione dinjitoze.
Meqenëse pa dashje e pa dëshirë u njoha me ju, më lejoni t'ju jap një këshillë ju dhe kolegëve tuaj që gjithë këto ditë po bëhen gazi i botës duke dalë kundër reformës historike të arsimit te lartë.
Më mirë mos flisni kur s'thoni dot bravo për diçka të mirë që e bëjnë të tjerët. Se siç thotë ajo shprehja Zoti Pollo: “Mjerë ai që s’ka ç’thotë, por dhe s’ka aq mend sa të hesht”.
Me keqardhje për ju,
Ejona Isufaj
Shtuar më 14/08/2014, ora 15:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori