Istogu sot voton per kryetarin e komunes
Albeu.com
Në rrethin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Istogut, sot, përballën kandidati i LDK-së, Haki Rugova dhe kandidati i PDK-së, Shasivar Haxhiaj.Në konferencën e parë të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) është njoftuar se në Komunën e Istogut procesi zgjedhor ka filluar në të gjitha qendrat e votimit në kohën e paraparë.

Florian Dushi, në mungesë të kryetares së KQZ-së Nesrim Lushta, edhe kësaj radhe ka folur në emër të KQZ-së, ku ka theksuar se janë hapur të gjitha qendrat e votimeve, kurse në fshatin Osojan KQZ po fron votimin për mes një pike mobile.

“Votimi ka filluar, nuk kemi të dhëna për numrin e votuesve, porse të gjitha qendrat nga 55 siç e thash, 54 qendra janë plotësuar me vendvotime të caktuara, porse është fshati Osojan, ku shërbimet kryhen përmes një ekipi mobil të dërguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kështu do të vazhdojë gjatë gjithë ditës”, tha Dushi.

Në garën e balotazhit janë Haki Rugova, kandidat i LDK-së dhe Shasivar Haxhijaj nga PDK-ja, të cilët në raundin e parë më 11 prill morën më së shumti vota nga gjithsej pesë kandidatët, por të cilat ishin të pamjaftueshme për të fituar pasi që për këtë nevojiten mbi 50 për qind të votave.

Rezultatet preliminare sipas Komisionit Qendror Zgjedhor pritet të publikohen në ora 23.00.

Zgjedhjet

Komisioni Qendror Zgjedhor ka emëruar këshillat e vendvotimeve për këto zgjedhje. Sekretariati i KQZ-së ka bërë të ditur se nga 55 vendvotime, janë 54 këshilla të vendvotimeve, ndërsa për vendvotimin në fshatin Osojan të banuar me serbë, do të jetë një ekip mobil nga KQZ-ja. Të drejtë vote kanë 39.307 qytetarë, të cilët gjatë këtij procesi votat e tyre mund t'i hedhin në 15 qendra të votimit dhe 55 vendvotime.

Në zgjedhjet e balotazhit, më 9 maj, për kryetar të Komunës së Istogut përballën kandidati i LDK-së, Haki Rugova, i cili në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën më 11 prill fitoi 7.349 vota ose 49.34% dhe kandidati i PDK-së, Shasivar Haxhiaj, i cili në këto zgjedhje ka fituar 3.249 vota ose 21.81%.

Siç dihet në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Istogut që u mbajtën pas vdekjes së ish-kryetarit të kësaj komune, Fadil Ferati, patën garuar edhe Muhamet Shatri (AAK) që ka fituar 3.207 vota ose 21.53%, Rifat Osmanaj (LDD) që ka fituar 585 vota ose 3.93% dhe Ismet Mulaj (AKR) që ka fituar 506 vota ose 3.40%.
Shtuar më 09/05/2010, ora 10:24
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori