Islami: Opozita duhet te futet ne Parlament
Albeu.com
"Kuadri i zgjidhjes së krizës është i qartë, pra opozita duhet të futet në Parlament dhe njëkohësisht duhet ngritur një komision hetimor", tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, Kastriot Islami.Mbas Rezolutës së Këshillit të Evropës, ku jepet vetëm një përshkrim i situatës, pra përshkruhet një krizë politike që ka shoqëruar zgjedhjet e 28 qershorit, jepet edhe një kuadër i zgjidhjes së kësaj krize, ka thënë ai, duke shtuar se kuadri i zgjidhjes së krizës është i qartë, pra opozita duhet të futet në Parlament dhe njëkohësisht duhet ngritur një komision hetimor. Është pranuar amendamenti i Partisë Demokratike në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe, brenda këtij kuadri, natyrisht duhet gjetur zgjidhja për ta kthyer vendin nga një krizë politike në një normalitet, që, në fund të fundit, është zhvillimi i demokracisë parlamentare.
Në reagimet e para duket që të dyja palët janë në distancë dhe do të jetë një moderim i vështirë nga ana e presidentit. Nuk dua të jem pesimist në këtë moment, por do të jetë një negocim shumë i vështirë.
Megjithëse, ai do të asistohet nga dy bashkëraportuesit e Këshillit të Evropës për Shqipërinë dhe nga kryetarët e grupeve politike në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilët do të mundohen qoftë në takime të përbashkëta, qoftë në takime individuale secili kryetar grupi me partinë përkatëse, ku bën pjesë, të themi, Partia Socialiste nëpërmjet kryetarit të grupit socialist në Asamblenë Parlamentare, apo Partia Demokratike nëpërmjet kryetarit të grupit të partive popullore evropiane, do të mundohen të moderojnë maksimalisht gjetjen e një zgjidhjeje.
Për momentin, duke parë se çështja e hapjes së kutive është çështja kryesore e gjithë këtij negocimi, më duket shumë e vështirë situata për të qenë e moderueshme dhe për të arritur një sukses nga ana e presidentit. Kjo çështje mund ta bënte zgjidhjen të pjesshme, duke e shtyrë në kohë zgjidhje e plotë.
Megjithatë, le të shpresojmë që presidenti do të arrijë nëpërmjet pozicionit që ka, por edhe nëpërmjet asistencës që do të bëhet nga i gjithë ky mekanizëm ndërkombëtar i Këshillit të Evropës, për të gjetur një zgjidhje.
Gjithçka është e hapur, të dyja opsionet - edhe i “suksesit”, edhe shtyrjes së zgjidhjes pra të themi “i dështimit relativ”- janë prezente, por le të shpresojmë që do të jetë një zgjidhje e suksesshme në javën kur komuniteti ndërkombëtar do të jetë prezent në Tiranë.
Mbasi kanë mbaruar zgjedhjet e 28 qershorit, mbasi ka dalë raporti i OSBE-ODIHR-it, ku ka dy elemente, raporti është realist dhe i balancuar. Elementi i parë është që stigmatizohet dhe kritikohet Qeveria për mosarritjen e standardeve në nivelin e tyre maksimal dhe kjo është një kritikë e drejtë dhe e saktë e komunitetit ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, në këtë dokument thuhet se nuk ka asnjë lloj prove për manipulim të rezultatit. Pra, nuk ka asnjë element që të japë mundësi të flitet për ilegjitimitet të këtij parlamenti, pra që të justifikojë bojkotin.
Kështu që, në qoftë se do të lexohej me realizëm ky raport, do të duhej që Qeveria shqiptare të reflektonte thellë dhe në kuadër edhe të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian të kishte një plan veprimi në bashkëpunim me opozitën, për t’i korrigjuar të gjitha defektet që ndodhën në këto zgjedhje.
Kurse opozita, nga ana tjetër, do të duhej të mos vinte në dyshim legjitimitetin e këtij parlamenti dhe, për rrjedhojë, edhe të Qeverisë dhe të bëhej pjesë e zhvillimit të demokracisë parlamentare.

Pra, këtu fillon edhe qëndrimi ynë ndryshe, që nuk ka asnjë element për të justifikuar bojkotin. Mirëpo, Partia Socialiste, në një vendim të saj politik ose më saktë partiak, nëpërmjet forumeve të saj, ka thënë se zgjedhjet pranohen legalisht, por janë nga pikëpamja politike me legjitimitet të cunguar dhe mbi këtë bazë është kërkuar hapja e kutive.
Natyrisht, në qoftë se do të kishte një vullnet politik nga ana e mazhorancës për hapjen e kutive, kjo do të ishte një çështje tjetër. Por, gjithmonë nëpërmjet hapjes së kutive do të krijohej një precedent i hapjes së kutive edhe për zgjedhjet e tjera dhe një çështje që është vështirë të parashikohet se çfarë interpretimi do të bëhej dhe sa do të dëmtonte kjo legjitimitetin e zgjedhjeve aktuale e të ardhshme.
Kështu që, jemi në këtë fazë, unë nuk mund të them që jam kundër hapjes së kutive në parim, por derisa pala tjetër është deklaruar se, e para, nuk pranon hapjen e kutive për shkak se nuk ka bazë ligjore dhe, e dyta, për shkak se kjo tejkalon vendimet e gjykatave, pra nuk ka një vullnet politik për të hapur, bazuar në një argument juridik – të paktën ky është argumentimi që ka bërë mazhoranca - atëherë këtu jemi përpara një situate, që hapja e kutive, me sa duket, është një çështje që nuk mund të ndodhë, për shkak se mazhoranca pretendon se nuk ka asnjë lloj argumenti ligjor për ta pranuar këtë gjë dhe opozita nuk ka asnjë instrument ligjor për ta arritur këtë gjë.
Në këtë situatë, që, në fund të fundit, do të vërtetonte legjitimitetin apo jolegjitimitetin e këtyre zgjedhjeve, situata është e komplikuar dhe besoj se edhe këtu është çelësi i gjetjes, ose mosgjetjes, së kompromisit në këtë negocim me asistencë (jo ndërhyrje), nga pala ndërkombëtare.
Por, fakti që anëtarët e delegacionit të Partisë Demokratike në Këshillin e Evropës kanë insistuar që investigimi dhe transparenca e zgjedhjeve të bëhen në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kanë pasur parasysh që hapja e kutive nuk ka asnjë lloj baze ligjore, aq më tepër që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe, me sa duket, ata këtë gjë nuk do ta pranojnë.
Ky është edhe pozicioni më i vështirë i presidentit për gjetjen e një zgjidhjeje midis dy pozicioneve, që njëri insiston për hapjen e kutive dhe tjetri ka nxjerrë të gjitha argumentet kushtetuese dhe ligjore për mos-hapjen e kutive.
Shtuar më 08/02/2010, ora 19:00
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori