Islami: Greva deshtoi, kutite s'hapen
Albeu.com
Deputetit i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, deklaroi se që nga fillimi ishte kundër grevës së urisë, ngase, sipas tij, ajo ishte një formë ekstreme dhe e papërshtatshme. Sipas Islamit, Rama s’mund të arrinte asgjë duke kërkuar sakrificën e të gjithëve, por jo edhe të vetën.
Sipas deputetit Islami, qëllim i Ramës nuk janë zgjedhjet e parakohshme, por mbajtja lart e tensionit politik deri në zgjedhjet e ardhshme lokale, ku ai do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës.

“Z.Rama e dinte shumë mirë se nuk do të kishte rinumërim të fletëve të votimit, dhe se kutitë e fletëve të votimit nuk do të hapeshin. Por, atij i mjaftonte të shpenzonte edhe këtë shkallë të fundit të veprimeve radikale. Nuk do të mund të fitonte asgjë më shumë se sa të ‘hapte kutitë e materialeve zgjedhore’, që ia kam propozuar prej disa muajsh konfidencialisht dhe publikisht. Kjo ngase kodi elektoral do të zbatohet dhe marrëveshja që do të mbyllet nuk do të jetë as mbi ligjin e as kundër ligjit. Pra, fletët e votimit do të trajtohen sipas neneve të kodit zgjedhor”, deklaroi Kastriot Islami për ditoren ‘Panorama’.

Deputeti Islami, gjithashtu sqaroi se kishte heshtur gjatë kohës së grevës së urisë, për shkak të sakrificës së grevistëve.

“Tani që mbaroi greva dhe që, për më tepër, po shoh se Rama po tenton që atë ta paraqesë si një ‘veprim heroik dhe mekanizëm suksesi’, është e nevojshme të ndriçohen socialistët e thjeshtë se përse edhe ky veprim radikal e i keqmenduar përbën dështimin e radhës dhe talljen e radhës me sakrificat e tyre, si pjesë e strategjisë së gabuar të Ramës pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Një strategji kjo që vazhdon ta dobësojë dhe përçajë Partinë Socialiste por edhe të majtën. Për më tepër, edhe të largojë të gjithë ata që mendojnë ndryshe dhe që gjykojnë racionalist”, nënvizoi Islami tutje.

Për anëtarin e Kryesisë së Partisë Socialiste, greva e urisë paraqet rastin e parë kur një vendim për sakrificë ekstreme nuk është individual, por politik dhe kolektiv.

“Ky është aspekti negativ i kësaj ‘greve politike politikanësh dhe me synime të qarta politike përmes një beteje për pushtet’. Në këtë kuptim, ky është një mesazh i gabuar për votuesit nga ana e të zgjedhurve të popullit, të cilët, në vend se të veprojnë politikisht dhe në mënyrë konstruktive në Kuvend, i drejtohen radikalizmit e veprimeve ekstreme.

Ky është, po ashtu, një rast ekstrem, që tregon indirekt se në grupin më të madh opozitar është instaluar një filozofi autoritare ekstreme dhe se aty vepron rregulli antidemokratik i ‘mandatit detyrues’ (imperativ) deri në atë masë, saqë partia vendos jo vetëm se çfarë duhet ‘të thuash e të bësh’ me mandatin e deputetit (që nuk është më as në duart e të gjithë votuesve, e as të vetë individit të zgjedhur, siç përcaktohet nga kushtetuta). Por, me një vendim partiak ‘mund të të detyrojnë që të futesh edhe në grevë urie’. Dhe, nëse nuk e respekton këtë lloj vendimi, trajtohesh ose konsiderohesh si ‘armik ose mikroborgjez’”, deklaroi Islami.

Sipas deputetit Islami, sikurse çdo veprim tjetër radikal edhe greva e keqmenduar e Ramës nuk kishte asnjë strategji dalëse, ngase as grevistët e as familjarët e tyre nuk e dinin se ç’do të sillte ajo; si do të arriheshin sloganet e egra revolucionare të folësve të përditshëm; si dhe kur do të mbyllej; dhe me çfarë arsyetimi do të dilej nga greva. Prandaj, theksoi Islami, edhe vetë skenari medial për shumicën e publikut krijoi perceptimin e një “show të tipit Big-Brother” sesa të një realiteti.

Veç gjithë kësaj, Islami përkujtoi se edhe ndërkombëtarët e dënuan grevën e urisë, prandaj edhe të thuhet se greva ishte e suksesshme është vetëm një iluzion.

“Greva e urisë është një dështim i radhës i Ramës dhe, fatkeqësisht, edhe i opozitës. Përfaqësuesit e NATO dhe BE, do të qeshnin me të madhe nëse do të dëgjonin se ndërkombëtarët u zmbrapsën dhe u ulën në ‘darkën e punës’ nga presioni i një greve urie, që ishte në prag të dështimit me turp. “Madje, edhe vetë organizatorët e saj deklaronin se ‘donin ta mbyllnin, por nuk dinin si ta përfundonin duke ruajtur paksa fytyrën’”, përfundoi Islami për gazetën ‘Panorama’.
Shtuar më 24/05/2010, ora 23:01
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori