Nuk do të bashkohet me Tiranën, Kushi: Universiteti i Korçës i ka të gjitha kapacitetet

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka qenë sot në universitetin e Korçës ‘Fan Noli’, pas kërkesës së këtij të fundit për t’u bashkuar me universitetin e Tiranës.

Pas një takimi me dyer të mbyllura me pedagogët e universitetit dhe drejtuesit, ku kanë diskutuar për këtë propozim dhe sfidat e problematikat me të cilat ky universitet po haset, Kushi ka dalë një pronincim për media ku u shpreh se nuk ka pasur asnjë vendim për bashkim, por kanë qenë vetëm propozimi nga stafi drejtues i universitetit të Korçës.

“Këtu nuk ka patur vendime definitive për mbyllje shkrirje, këtu ka patur alternativa, propozime e rëndësishme është që ne së bashku i konsultojmë dhe marrim vendimet më të mira.  Universiteti i Korçës do të vazhdojë por do të rritet më tepër. Potencialet janë aty, ka studentë dhe staf i mrekullueshëm, si edhe kapacitete. Korça ka traditë në arsim, pra do të ketë zhvillim më tej. Ka patur propozime të ndryshme, jo vendime, e rëndësishme është që ti diskutojmë ashtu si bëmë sot. Dhe vendosëm që rruga është ndërkombëtarizimi dhe profilizimi i universitetit”, tha Kushi.

Më tej Kushi shtoi se universiteti i Korçës do të ketë të gjithë mbështetjen e nevojshme për të ecur përpara pasi një universitet si ky i Korçës nuk duhet të dorëzohet përballë sfidave që aktualisht ka cdo universitet në Shqipëri.

“Zhvilluam një takim shumë konstruktiv me të gjithë pedagogët dhe stafin drejtues të universitetit Fan Noli të Korçës, të bazuar në vendimet e ministrisë për universitete publike shqiptare, projektet e miratuara dhe zhvillimet në universitetin e Korçës, problematikat, sfidat. Sa i takon pjesës së parë jam shumë e lumtur që ne në ministri kemi miratuar disa projektet kërkimore shkencore, projekte në kuadër të procesit të ndërkombëtarizmit.

Sfidave që ka universiteti i Korçës, të gjithë ramë dakord që  dy janë drejtimet se si mund të zhvillohet ky universitet, ndërkombëtarizmi, një bashkëpunim edhe më i frytshëm, më i ngushtë me universiteti evropiane prestigjioze dhe botërore.. Ka një progres, se ka disa programe të lidhur me universitetin e bullgarisë, por këto nisma duhet të shtohen edhe më shumë që universiteti i Korçës të hapet më shumë sa i takon shkëmbimit të studenteve, pedagogëve, programe të përbashkëta, etj. Drejtimi i dytë është profilizimi i universiteteve. Ne kemi një vit që po punojmë për të përcaktuar një strategji të mirë të profilizimit. Që do të thotë që universitetet veçanërisht ato rajonale të fokusohen në disa fusha e programe që janë traditë brenda universitetit, por edhe i përgjigjen kërkesave të tregjeve lokale apo rajonale”, tha Kushi.


Shtuar 8.07.2023 14:19