Ishte fshehur në pyll, policia italiane kap trafikantin e shumëkërkuar shqiptar
Ai u kërkua që nga maji 2018 për trafik droge. Një i arratisur i rrezikshëm shqiptar, i lindur në 1984, u gjet dhe u arrestua nga karabinierët në Novafeltria në një shtëpi në pyllin midis San Leo, Pennabilli dhe Montecopiolo, bashkë me një shqiptar tjetër, i cili i kishte ofruar mbrojtje dhe strehim

Një operacion kompleks, i realizuar me sukses erdhi pas dy burimeve konfidenciale. Hulumtimi i të arratisurit shqiptar ishte përqendruar në një zonë të pyllëzuar në kufirin midis Romagna dhe Marche. Hetuesit kryen një sërë vëzhgimesh duke arritur të identifikojnë pikën e saktë ku fshihej tregtari i drogë.

Falë mbështetjes ajrore të një helikopteri të Arma, i cili nga lart fotografoi zonën, bëri të mund identifikimin e saktë të rreziqeve që mund të kishte policia gjatë ndërhyrjes, duke identifikuar edhe rrugët me të cilat mund të arratisej shqiptari. Më pas, nisi aksioni i arrestimit.

Mëngjesin e së mërkurës, 12 forca policie rrethuan shtëpinë dhe prisnin që shqiptari i dytë që kishte në zotërim ndërtesën të largohej nga andej për të shkuar në punë si murator. Shqiptari i kërkuar ishte ende duke fjetur kur policia ndërhyri për ta arrestuar.

Pasi u bë imobilizimi, filloi kontrolli i banesës ku u gjetën tre pako celofani që përmbajnë gjithsej 26 gram kokainë, një peshore elektronike, një letërnjoftim dhe një patentë shoferi false. Ndaj shqiptarit kishte edhe një urdhër-arresti nga autoritetet greke.

Në përfundim të kërkimeve të dy shqiptarët u shoqëruan në komisariatin e policisë në Novafeltria për procedurat përkatëse, sinjalizimin e fotografive dhe krahasimin e gjurmëve, të cilat konstatuan se ishte pikërisht tregtari shqiptar i drogës i kërkuar për më shumë se një vit.

I arratisuri u arrestua gjithashtu për posedim droge dhe posedim dokumentesh false, të vlefshme për udhëtime jashtë vendit, dhe u dërgua në burgun e Villa Fastiggi në Pesaro./Panorama
Shtuar më 19/12/2019, ora 17:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori