“Ringjallet” Kastriot Myftaraj, reagimi shtatë muaj pas vdekjes në Facebook-un e tij

Ndjekësit e gazetarit Kastriot Myftaraj janë përballur me një postim të çuditshëm në faqen e tij të Facebook-ut, e cila është riaktivizuar disa muaj pasi ai vendosi t’i japë fund jetes në rrethana misterioze duke u hedhur nga ballkoni i shtëpisë.

Përmes një postimi në Facebook, disa persona që e quajnë veten “një grup gazetarësh” theksojnë se do ta vijojnë misionin e Myftarajt pas vdekjes së tij.

“Përshëndetje Miq !

Për shumëkënd që e lexon këtë mesazh do ti duket një ngjarje e çuditshme. Por në fakt vjen prej disa miqve gazetarë të Kastriot Myftarajt i cili humbi jetën në 7 korrik të vitit të shkuar.

Edhe pse kanë kaluar 7 muaj, sërish emri i tij vijon të sjellë reagime madje shumëkush i kthehet edhe publikimeve të tij për ngjare që jo pak herë trazojnë tollovinat politike apo hallet e përditshme të shqiptarëve këndej e andej kufirit.

E pikërisht në nder të kujtimeve që ai la pas ne një grup gazetarësh kemi vendosur të vijojmë sado pak misionin që ai la në mes, të flasim pa frikë për atë që na prek të gjithëve.
Për këtë më herët kemi marrë edhe mbështetjen e nënës së Myftarajt që këmbënguli që së paku një pjesë e tij të jetë ende e gjallë.

Një mision i vështirë e thuajse e pamundur, jo vetëm për formatin e shkrimeve të tij por edhe për guximin që shpesh sillte jo vetëm çudi, por edhe debate.

Sfida mbetet e madhe por sido të jetë kjo faqe do të sjellë sado pak një pamje ndryshe të asaj çfarë nuk pranohet të shihet…” shprehen ata.


Si vdiq Myftaraj

Analisti dhe gazetari Kastriot Myftaraj i dha fund jetës më 7 korrik 2022, duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit ku jetonte me nënën e tij.

Myftaraj ishte autor dhe moderator i emisioni “Ju flet Moska” dhe emisioni i fundit i tij ishte më 17 qershor. Që prej asaj dite ai nuk u pë më në ekran.

Mësohet se një javë para se të vdiste, Myftaraj është diagnostikuar me kancer dhe kishte qenë në një gjendje të rënduar psikologjike.

Pas vdekjes së tij janë ngritur shumë dyshime dhe akuza se ai mund të jetë vrarë, gjë që ende nuk është provuar./albeu.com


Shtuar 23.01.2023 21:23