Ishin strehuar në kamp pas tërmetit, arrestohen 3 shqiptarë nga Policia e Kosovës
Tre persona janë arrestuar e më pas janë liruar pasi nuk u janë bindur urdhrave zyrtare të zyrtarëve policorë.

Mbi 500 persona nga Shqipëria janë strehuar në kampin, i cili më parë ka shërbyer si bazë e ushtrisë gjermane të KFOR-it në Prizren.

Por, një rast është iniciuar mbrëmjen e kaluar pasi që tre nga të strehuarit nuk u janë bindur urdhrave zyrtare dhe kanë përfunduar në stacion policor.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Po, e kemi iniciuar një rast, bëhet fjalë për moszbatim të urdhrave të personave zyrtarë. Disa persona të cilët tani po qëndrojnë në Kampin Gjerman kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga mjekët e emergjencave e më pas janë revoltuar dhe kanë tentuar t’i sulmojnë mjekët. Pastaj të njëjtit nuk i janë bindur edhe urdhrave të zyrtarëve policorë. Tre nga ta janë intervistuar”, tha Osmanollaj për KALLXO.com.

Ai shtoi se të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt pasi janë nën mbikëqyrje në kampin gjerman.

Pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri, qytetarë të Kosovës kanë ofruar strehim për familjet të cilat kanë mbetur pa kulm mbi kokë si pasojë e dëmtimeve që kanë marrë ndërtesat pas tërmetit 6.4 ballësh.
Shtuar më 03/12/2019, ora 23:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori