Ish-themeluesi i PD-së rrëfen takimin e 26 viteve më parë: Berisha u akuzua nga Ramiz Alia për helmim...
Blerim Çela, ish-themelues i PD-së dhe një prej figurave kryesore të së djathtës ndër vite rrëfen ditët e tensionuara që çuan në rrëzimin e shtatores së diktatorit Hoxha. Z.Çela përmes “Gazeta Shqiptare” hedh dritë mbi qëndrimit që mbajti PD-ja ndaj grevës së urisë së studentëve 26 viteve më parë dhe takimin në Presidencë të thirrur nga ish-presidenti Ramiz Alia.

Pjesëmarrës në atë mbledhje, Blerim Çela zbardh për herë të parë debatet në mbledhjen disaorëshe mes palëve, kërkesën befasuese të kreut të Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëro Agolli për familjen Hoxha, akuzën e Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit ndaj Sali Berishës për helmimin e studentëve, si dhe kërcënimin e ish-presidentit komunist se do të derdhet gjak nëse nuk qetësohet gjendja pas grevës së urisë së studentëve dhe rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha…

Z.Çela, 26 vite më parë, studentët hynë në grevë urie, insistimi çoi në rrëzimin e simboleve të diktatorit Enver Hoxha. Si i kujtoni ato ditë dhe cili ishte qëndrimi i PD-së ndaj kësaj ngjarjeje të shënuar për mbarë popullin shqiptar?
Në mbledhjen e parë të Aktivit Kombëtar të Partisë Demokratike në 13 shkurt 1991 merrnin pjesë anëtarët e komisionit nismëtar të Tiranës, anëtarët e komisioneve pranë PDSH-së, si dhe kryetarët e sekretarët e degëve të sapoformuara të rretheve. Merrja pjesë edhe unë si anëtar i komisionit nismëtar të PD-së së Tiranës që nga dhjetori i 1990-ës. Në këtë mbledhje u vendos që komisioni nismëtar i PDSHsë të quhej Komisioni Drejtues i Partisë Demokratike. Në atë mbledhje midis 38 kandidaturave për në komisionin drejtues, më kishin propozuar të isha edhe unë. Nga këto kandidatura do të zgjidheshin vetëm 19 persona me votim të fshehtë.

Përpara votimit u lexua nga një karakteristikë për secilin prej nesh që kandidonim. Pas votimit të fshehtë u zgjodhën në kryesi Sali Berisha, Azem Hajdari, Arben Imami, Gramoz Pashko, Genc Ruli, Preç Zogaj, Eduard Selami, Aleksandër Meksi, Arben Demeti, Mitro Çela, Merita Zaloshnja, Pjetër Arbnori, Blerim Çela, Rexhep Uka, Lili Dhamo, Agron Cika, Neritan Ceka, Edmond Trako, Shahin Kadare. Ky komision u mblodh të nesërmen dhe zgjodhi z.Sali Berisha kryetar dhe z.Eduard Selami sekretar të përgjithshëm, sigurisht me vota të fshehta. Të gjithë ne kishim punuar për themelimin e seksioneve të PD-së në ndërmarrjet e Tiranës dhe pas kësaj zgjedhjeje, filluam të dilnim nëpër rrethe për të propaganduar programin e PD-së e për të shtuar radhët e saj.

Çfarë po ndodhte ato ditë me Lëvizjen e Studentëve?
Në atë periudhe, Lëvizja Studentore kishte marrë karakter politik dhe ishte zgjeruar edhe në universitetet e Shkodrës, Elbasanit, Korçës dhe sidomos në Institutin e Lartë Bujqësor të Tiranës, ku u krijua një komision studentësh me kryetar Osman Stafën dhe anëtarë Bislim Ahmetaj, Vladimir Mulaj, Alma Haxhiu, Myslim Murrizi e të tjerë, të cilët shpallën bojkotimin e mësimit dhe kërkesën për shkarkimin e rektorit Lufter Xhuveli, që u zëvendësua nga z.Haxhi Aliko. Në Qytetin Studenti u zgjodh një komision për të vazhduar protestat, ku bënin pjesë studentët Mesila Doda, Ridvan Peshkëpia, Blendi Gonxhe, Arben Lika, Arian Manahasa, Ilir Dizdari dhe Ndue Lugja dhe me mbështetjen e të gjitha shkollave të larta të Tiranës, Elbasanit e Shkodrës kërkuan heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës.

Nëse emri i tij nuk hiqej nga universiteti, në 18 shkurt 1991 studentët do të fillonin një grevë urie. Partia Demokratike botoi një deklaratë në gazetën “Rilindja Demokratike” më 10.02.1991, ku ndër të tjera thuhej: “PD-ja mendon se stabiliteti nuk arrihet duke mbyllur veshët, duke kundërshtuar kërkesat politike të studentëve për t’i hequr universitetit emrin e Enver Hoxhës. Plotësimi i kësaj kërkese, që duhet të bazohet në referendumin studentor dhe të kolektivit punonjës të UT-së, nuk e cenon figurën e Enver Hoxhës si udhëheqës i PPSH-së. Tani universiteti është institucion pluralist i ç’ideologjizuar”.

Dhe çfarë përgjigje morën studentët?
Jo. Pasi studentet nuk morën përgjigje, 723 prej tyre së bashku me shumë pedagogë u futën në grevë urie në Pallatin e Kulturës së Qyteti Studentit. Në 20 shkurt 1991 rreth orës 13 u nisa nga Ministria e Ndërtimit ku punoja në atë kohë, për të shkuar në selinë e PDSH-së, që ishte tek Rruga e Kavajës. Për të shkuar në selinë e PD-së, duhej kaluar përmes sheshit “Skënderbej”, në drejtim të Ministrisë Financave (sot Banka e Shqipërisë). Kur po kaloja pashë se sheshi ishte mbushur me demonstrues, por grupi më kompakt ishte ai midis Pallatit të Kulturës dhe hotel “Tiranës” (15- katëshi), po ashtu grupe të mëdha kishte edhe tek muzeu kombëtar, estrada e shtetit dhe tek ministritë. Unë qëndrova poshtë shkallëve të Ministrisë së Financave nga ku mund të shihja përballë monumentin e E.Hoxhës. Protestuesit synonin të shkonin tek monumenti, por policia e pajisur me skafandra e shkopinj gome i pengonte edhe me ndihmën e qenve të policisë, por edhe me qitje armësh në ajër. Protestuesit i përgjigjeshin me gurë, që i nxirrnin nga trotuaret dhe rruga. Më në fund njerëzit triumfuan dhe mes përleshjes me policinë e rrëzuan monumentin siç e kemi parë në TV. Ishte ora 14 e 6 minuta, siç u transmetua më pas në lajme.

Si u prit në selinë e PDsë lajmi i rrëzimit të shtatores së diktatorit?

Unë u bashkova me protestuesit duke u përqafuar me të njohur e të panjohur me thirrjet “E Hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën”. Prej aty shkova në selinë PDsë, ku i thashë Berishës se çfarë kishte ndodhur. Ai ishte vetëm në zyrë, por nuk më besoi. Në atë moment pashë nga dritarja e zyrës së tij një zetor në të cilin kishin ngarkuar kokën e Enverit dhe e qëllonin me grushte e sende të forta duke e sharë. E pa edhe Berisha.

Në atë kohë erdhën në zyrë edhe zotërinjtë Eduard Selami dhe Edmond Trako. z.Berisha tha që të shkonim te greva e urisë. Të katërt hipëm në një “Fiat Regata” të vjetër, që e përdorte Berisha dhe shkuam në Qytetin Studenti, ku ndërkohë e kishin sjellë zvarrë monumentin dhe po e shkatërronin. Ishte një rrëmujë e zhurmë e madhe. Ne shkuam tek dera e pallatit të kulturës se Qytetit Studenti, ku studentët ishin futur në grevë urie. Kërkuam të hynim brenda, por studentët nuk na e hapën derën, sepse kishin vendosur të mos pranonin asnjëri për të ruajtur vërtetësinë e grevës. Ndërkohë në mes të asaj rrëmuje, zoti Eduard dhe Edmond Trako ishin larguar prej nesh.

Gjatë kohës që studentët kishin hyrë në grevë urie jeni lajmëruar për një mbledhje urgjente në Presidencë?

Po. Rreth orës 14 e 45 erdhi një civil, që i tha z.Berisha që në orën 15 do të bëhej një mbledhje në Presidencë me partitë politike në zyrën e Ramiz Alisë. Ne nuk e dinim ku ishte makina se nuk merrej vesh se ç’bëhej në atë rrëmujë. Personi i veshur civil na çoi tek një makinë 7-vendëshe “Aro” të televizionit dhe së bashku me Berishën u nisëm për në Presidencë, meqë z.Selami nuk ishte pranë nesh.

Kaluam sheshin e stadiumit “Qemal Stafa” dhe bibliotekën e universitetit para së cilës ishin trupa të panumërt ushtarakësh të armatosur dhe me skafandra. Ishte një situatë shumë e rëndë. U futëm në Presidencë, ku na drejtuan drejt bodrumit në të cilin ndodhej një sallë mbledhjeje me tavolinë vezake, me nga një mikrofon për çdo person.

Kush ishte në atë sallë?

Në këtë sallë ishte Spiro Dede sekretar i KQPPSH, Leka Shkurti si përfaqësues i Frontit Demokratik, Sabri Godo nga PR-ja, Haxhi Aliko nga PSD, z. Berisha e Blerim Çela nga PD-ja dhe ata që quheshin subjekte politike si Bashkimi Gruas Shqiptare me Lumturi Rexhën, Dritëro Agolli nga Lidhja e Shkrimtarëve, Agim Dardha nga Bashkimet Profesionale; Marash Hajati nga Lidhja e Gazetarëve. Në zgjedhjet e 31 marsit 1991 këto subjekte dolën si subjekte politike.

Çfarë tha Ramiz Alia në atë mbledhje?

Pasi zumë vend, erdhi presidenti Ramiz Alia dhe kryeministri Adil Çarçani. Mbledhjen e filloi Ramiz Alia me këto fjalë: “Kam dy ditë me radhë që bëj përpjekje me PD-në dhe PR-në për të mos arritur puna deri me rrëzimin e monumentit të komandantit të Luftës Nacionalçlirimtare.

Konkretisht si u shpreh ai për rrëzimin e monumentit?

Alia tha se ky është një akt vandal, i turpshëm e fashist, prandaj unë do të vendos gjendjen e jashtëzakonshme si dhe mobilizimin ushtarak, pasi asgjë nuk do të tolerohet. Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme mund të bëhet mjet për të vendosur rregull, ashtu si dhe për të derdhur gjak. Ky është një skenar i përgatitur nga Partia Demokratike dhe ne do t’i gjejmë autorët. Me këtë rast i bëj thirrje popullit të rrijë në shtëpi, pasi po dolën në rrugë, do të fillojë gjakderdhja”.

Cili ishte qëndrimi i të pranishmëve në sallë pas kërcënimit të Alisë për gjakderdhje?

Pas tij e mori fjalën kryetari i Partisë Republikane, z.Sabri Godo, i cili i tha: “Ju shoku Ramiz nuk na latë shteg të flasim. Të paktën nga ne nuk ka hile”.

Z.Godo arriti ta bindë Alinë?

Presidenti Alia iu përgjigj se nga Partia Republikane nuk kishte hile. Pastaj zoti Sabri Godo tha: “Para se të vendosni gjendjen e jashtëzakonshme, na merrni mendimin edhe ne. Krijoni një Këshillë Presidencial dhe një qeveri pune, si dhe dilni me një komunikate në TV”.

Përveç Godos, kush foli tjetër në atë takim?

Ishte interesant diskutimi Dritëro Agollit. Ai i tha Alisë: “Jam i mendimit të mos shpallet gjendja e jashtëzakonshme, pasi kjo do ta acarojë më tepër me popullin. Duhet të hiqet emri i Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës. Të dëgjohet zëri i masës. Do të ishte mirë që familja e tij (e kishte fjalën për Nexhmije Hoxhën) të dalë vetë në TV me një deklaratë ku të pranohen disa gabime të Enver Hoxhës për hir të shpëtimit të kombit. Të krijohet një Këshill Presidencial e një qeveri pune. Po nuk dhanë rezultat këto, të vendoset gjendja e jashtëzakonshme”.

Cili ishte reagimi i Alisë pas propozimit të Agollit?

Alia tha: “Të vendos gjendjen e jashtëzakonshme, pasi të jetë varrosur gjithçka?”. Aty folën edhe të tjerë si Lumturi Rexha, e cila u shpreh: “Studentëve u kanë çuar sheqer të helmuar”. Por aty ndërhyri Alia duke thënë se: “Kemi të dhëna të sigurta se sheqerin e helmuar e ka çuar PD-ja, por ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”.

Cili ishte qëndrimi i z.Berisha?

Sali Berisha mohoi t’u ishte çuar studentëve sheqer të helmuar nga PDja. Konkretisht ai u shpreh: “Nuk është e vërtetë se u kemi çuar ne sheqer të helmuar dhe distancohemi nga ky fakt. Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me helmimin. Shteti me të gjitha strukturat e tij nuk po e kontrollojnë situatën. Në takimet që kemi pasur me ju shoku Ramiz, kemi insistuar për stabilizimin e gjendjes. Grevën e urisë te studentët nuk e kemi organizuar ne. Kemi punuar tri ditë rresht për të mos ndodhur ajo, por ata nuk na kanë dëgjuar. Ne mbështesim kërkesat e tyre, duke u vendosur çështja e emrit me referendum”. Por pas tij ndërhyri Adil Çarçani, i cili iu drejtua Berishës: “Këtu duket fytyra juaj, ju i keni organizuar të gjitha. Madje, keni dërguar sheqer të helmuar te studentët grevistë”.

A e mbështetët ju z.Berisha përballë akuzave të Alisë dhe Çarçanit?

Unë i jam drejtuar Çarçanit duke i thënë: “Kjo që thoni ju shoku Adil është paradoksale, pasi nga njëra anë na akuzoni ne të PD-së sikur kemi nxitur grevën e urisë, në anën tjetër ne u paskemi çuar studentëve sheqer të helmuar. Përse duhej ta bënim këtë gjë?”.

Përderisa z.Berisha u shpreh se PDja ishte kundër grevës së urisë së studentëve, çfarë zgjidhje ofronte PD-ja në atë rast?

Berisha u shpreh se: “Ne ishim dakord me formulën për ndarjen e Universitetit të Tiranës në dy pjesë, por kur ua paraqitëm studentëve, ata e refuzuan në mënyrë kategorike e nuk na mbështetën aspak”. Por, Ramiz Alia pavarësisht atyre që tha Berisha, vazhdoi me akuzat duke iu drejtuar atij: “Popullin e Tiranës e organizuat ju për këto vandalizma, pasi atje kishte aktivistë dhe udhëheqës të saj”.

Dhe Sali Berisha iu kundërpërgjigj duke i thënë: “Në mes të popullit kishte personalitete të ndryshme qoftë nga PD-ja, qoftë nga PP-ja, intelektualë, punëtorë me e pa parti, prandaj nuk mund të akuzohet PD-ja. Greva filloi nga sindikatat e pavarura e jo nga ne, pastaj njerëzit e eksituar prej grevës së urisë të studentëve, kryen aktin. Ata nuk mund të drejtoheshin jo vetëm nga ne, por nga askush”. Debati vazhdoi sërish. Ramiza Alia deklaroi se: “Kjo që u bë sot nuk është demokraci, por fashizëm”.

Çfarë kërkonte konkretisht Sali Berisha nga Ramiz Alia?

Berisha i tha Alisë në mënyrë të qartë: “Mendoj se duhet gjetur mënyra e një qeverisjeje efikase. Të hiqet Blloku, të hiqet emri i Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës e të rivlerësohet figura e tij. Ju bëjmë thirrje të merren masa të tjera para se të vendoset gjendja e jashtëzakonshme, pasi gjithçka po bëhet për të ruajtur pushtetin e partisë në pushtet”. Pas Berishës foli Marash Hajati: “Jam për të mos u vendosur gjendja e jashtëzakonshme. Unë them se asnjë parti nuk është kundër popullit të vet. Ju duhet të njoftoni përmes shtypit e radios heqjen e emrit nga U.T. Akti i kryer ishte një akt vandal, ju duhet të krijoni këshillin presidencial”. Por Dritëro Agolli foli sërish duke thënë: “Të gjitha këto ndodhin prej emrit të Enver Hoxhës, emri i tij duhet hequr nga UT.-ja”. Edhe sipas Sali Berishës: “Motivi i gjithë ngjarjes është Enver Hoxha”. Në atë mbledhje mori fjalën edhe Spiro Dedja, i cili tha: “Mendoj të dalim me një deklaratë të përbashkët për qetësi. T’i jepet kohë presidentit të krijojë një Këshill Presidencial për të dalë nga kjo situatë. Të krijohet një qeveri teknike. Sot nuk duhet të mendojmë për parti, por për popullin, rendi të forcohet, por pa derdhur gjak dhe të hiqet emri i Enver Hoxhës nga U.T”. Por Berisha e kundërshtoi duke thënë: “secila parti të bëjë deklaratën e saj e jo një deklaratë të përbashkët”.

Me çfarë vendimi doli takimi në Presidencë?

Ramiz Alia deklaroi se do të shikonte mundësinë e një Këshilli Presidencial dhe të një qeverie pune. Dukej qartë se gjithçka ishte e përgatitur për të marrë një miratim nga partitë politike për formimin e Këshillit Presidencial, që pushteti të grumbullohej në dorën e Ramiz Alisë. Në mbledhje u bëhej presion partive politike që të jepnin miratimin për krijimin e Këshillit Presidencial, duke na kërcënuar ne përfaqësuesit e Partisë Demokratike me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe gjetjen e organizatorëve të protestave dhe të rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, por nuk i piu ujë se atij regjimi i kishte ardhur fundi.

Po të shikohen me kujdes fjalët e diskutantëve, rezulton se të gjithë, përjashto Berishën si përfaqësues i PDsë, ishin për krijimin e Këshillit Presidencial, dënimin e rrëzimit të monumentit dhe krijimin e një qeverie teknike.

Ajo që na bëri përshtypje të jashtëzakonshme ishte diskutimi i shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, që kërkoi jo vetëm heqjen e emrit të Enver Hoxhes nga universiteti si disa diskutantë të tjerë, por kërkesa e tij, që familja e Enver Hoxhës të kërkonte ndjesë për gabimet e Enverit na befasoi si një e vërtetë e madhe, por edhe na gëzoi sepse kjo tregonte se fryma e Enverit kishte mbaruar jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht duke u zëvendësuar me frymën e erës së re të demokracisë perëndimore në Shqipëri./GSH/
Shtuar më 15/02/2017, ora 09:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori