Ish-ministrja e Ramës humb njeriun më të shtrenjtë: Të rëndë ma le barrën! (FOTO LAJM)

Nëna e ish ministres së Kulturës Mirela Kumbaro ka ndërruar jetë ditën e sotme. Lajmin e ka dhënë vetë Kumbaro përmes një postimi emocionues në Facebook, ku shkruan:

“U ngjit në qiell një Zonjë, një mësuese pasionante që jetën ia kushtoi arsimit, që për gati 4 dekada formoi breza profesionistësh dhe artistë duke u mësuar atyre matematikën të cilën ua bëri po aq të dashur sa muzikën, pikturën apo baletin në Liceun Artistik.

Një bijë që me shumë dinjitet e përulësi nderoi emrin e familjes e cila la gurë të rëndë në themelet e patriotizmit e të kulturës gjirokastrite të kombit. Një grua që dashuroi fort një libohovit dhe të dy bashkë ndërtuan familjen më të bukur në botë, me besimin te fëmijët dhe me bindjen te parimet e jetës.

Një gjyshe që nipërit e mbesa e kishin shoqe të ngushtë dhe dashuri të pazëvendësueshme. Ajo është nëna ime! Të cilën e njoha kështu si në këtë foto kur erdha në jetë.

Dhe kështu e përcolla sot drejt parajsës se vetëm atë meriton zysh Azbija, mama jonë, e bukura dhe e mençura jonë, e kthjellët si hëna e plotë, e thellë si toka e pjekur, e qetë si deti pas furtunës, elegante si mendimi për Jetën që e respektoi deri në çastin e fundit kur iku në paqe dhe krenare nga kjo botë për t’u bashkuar përgjithmonë me dashurinë e jetës së saj, tim atë.

Të rëndë ma ke lënë barrën e modelit që s’di a do ta arrij dot, e që më jep ndjesinë e fundit të detit…

Lamtumirë Ma!”
Shtuar më 19/01/2021, ora 21:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori