Ja se si Amerika do të vazhdojë ta ndihmojë Kievin për t’i dëbuar rusët nga territoret ukrainase

Nga Christian Rocca “Linkiesta

Tradicionalisht amerikanëve u pëlqen ta frenojnë presidentin aktual, duke votuar për partinë opozitare në gjysmën e mandatit të tij të parë. Gjatë 20 viteve të fundit, vetëm George W.Bush ka arritur që të fitojë zgjedhjet e mesit të mandatit.

Por asokohe ishte viti 2002, dhe një vit më parë kishte ndodhur 11 shtatori që e transformoi atë në udhëheqësin kombëtar të një vendi të sulmuar. Prandaj, “plaku” Joe Biden është presidenti që ka marrë rezultatin më të mirë në shumë vite në zgjedhjet e mesit të mandatit.

Partia Demokratike e ruajti shumicën në Senat, ndërsa në Kongres, avantazhi i republikanëve, nëse konfirmohet, është shumë i ngushtë krahasuar me parashikimet që paralajmëronin një “dallgë republikane” që në fakt nuk u pa gjëkundi.

Mbi të gjitha u mposhtën mohuesit e fitores së Biden në vitin 2020, të cilët në shtetet vendimtare për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, garuan për postet e menaxhimit dhe certifikimit të votës me qëllimin e shpallur mohimin, sipas indikacioneve puçiste të Trump, një tjetër fitore të mundshme të demokratëve në vitin 2024.

Amerikanët kanë preferuar që në këto zgjedhje të zgjedhin kandidatë që do të respektojnë numërimin e votave dhe demokracia në SHBA është konfirmuar sërish e fortë. Arsyeja e këtij rezultati të papritur nga Joe Biden është sigurisht vetë Biden, por edhe ndikimi i keq që Trump, kandidatët Trumpianë dhe politikat Trumpiane të grushtit të shtetit, kanë pasur tek votuesit republikanë dhe të pavarurit.

Qasja e moderuar e Biden është një zgjidhje politike që vazhdon të funksionojë kundër nacionalizmit puçist të Donald Trump. Në dallim nga ajo që mendon krahu radikal socialist në Partinë Demokratike, sjellja e moderuar e Joe Biden nuk është një heqje dorë nga parimet progresive liberale, por një metodë serioze, pragmatike dhe reformiste për t’i afirmuar ato me më shumë forcë dhe saktësi.

Ndërkohë, në kampin tjetër po bëhet gati të nisë një “luftë civile” brenda republikanëve midis Trump dhe pjesës tjetër të partisë, e cila nuk është më pak e rrezikshme se Trump. Ron DeSantis, i rizgjedhur si guvernator i shtetit të Floridës, është një Trumpian më inteligjent dhe më pak narcisit, dhe për këtë arsye është potencialisht më efektiv në çuarjen përpara të axhendës nacionaliste, antidemokratike dhe reaksionare të ish-presidentit.

Pasoja më e rëndësishme e rezultatit të zgjedhjeve të 8 nëntorit, të paktën për ne evropianët dhe për ukrainasit, është se tanimë jemi të sigurt se politika amerikane në lidhje me luftën e Rusisë kundër Ukrainës nuk do të ndryshojë në asnjë pikë.

Në çdo rast, ajo nuk do të kishte ndryshuar – as në rastin e një fitoreje të bujshme të Partisë Republikane, e lëre më pastaj me ndarjen përgjysmë të 2 dhomave të parlamentit – edhe pse për ukrainasit dhe evropianët është e qartë se do të kishte qenë më mirë nëse Partia Demokratike do të kishte mbajtur edhe shumicën në Kongres.

Ashtu si edhe për italianët, do të ishte më mirë që Mario Draghi të kishte mbetur në Palazzo Chigi. Por edhe me kryeministren e re Giorgia Meloni, mbështetja italiane për Ukrainën në thelb nuk do të ndryshojë. Dhe as ajo amerikane nuk do të ndryshojë, edhe tani që republikanët janë paksa më të fortë se më parë.

Megjithatë, shumica e republikanëve nuk janë nën shantazhin e rusëve si Donald Trump dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt. Nëse rilexoni deklaratën e Jake Sullivan, këshilltarit për sigurinë kombëtare të Biden, në prag të samiti të G20-ës në Indonezi, do të shihni se ai e bën të qartë se pozicioni i Shteteve të Bashkuara për luftën ruse në Ukrainë është gjithmonë i njëjtë dhe sillet rreth 5 shtyllave të mirë-përcaktuara:

  1. I takon vetëm Ukrainës të vendosë nëse, kur dhe për çfarë do të negociojë më Rusinë.
  2. Amerika nuk do të ushtrojë asnjë lloj presioni mbi ukrainasit për të negociuar me rusët.
  3. Nuk mund të ketë paqe pa integritetin territorial të Ukrainës.
  4. Rusia nuk është e besueshme në asgjë që thotë.
  5. Amerika do të bëjë gjithçka për ta vendosur Ukrainën në pozicionin më të mirë të mundshëm në terren, në mënyrë që kur ajo të vendosë të negociojë, të jetë në një pozicion të fortë.

Këto janë fjalët e këshilltarit për sigurinë kombëtare të Biden, të konfirmuara nga një paketë e re ndihme ushtarake për Ukrainën me vlerë 400 milionë dollarë, që parashikon dërgimin e sistemeve të tjera të mbrojtjes kundërajrore, për të mbrojtur trupat ushtarake dhe civilët nga sulmet ruse me dron të prodhimit iranian.

Që nga fillimi i pushtimit rus, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar sisteme të mbrojtjes ushtarake me vlerë mbi 18.5 miliardë dollarë, falë të cilave qeveria e Kievit ka mbrojtur popullsinë civile të Ukrainës nga krimet ruse të luftës, dhe ka lejuar ushtrinë ukrainase të çlirojë të gjithë fronti verilindor të vendit, siç ndodhi së fundmi në Kherson, për të përparuar edhe në frontin juglindor.

/albeu.com


Shtuar 15.11.2022 08:43