Ish-komando i pret kokën me thikë, pensionisti kishte kërkuar dy herë ndihmë nga policia

Ditën e djeshme një ngjarje makabre tronditi Këlcyrën pasi një 30 vjeçar, ish komando preu me thikë në qafë një pensionist.
Krimi makabër ka ndodhur në fshatin Corrogunjë, gati 8 km në veri të Këlcyrës.

Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e krimit më të rëndë që kanë përjetuar banorët e këtij fshati të vogël. Nesim Hoxha, 66 vjeç, i sapodalë në pension, nuk e ka gëzuar pensionin e parë, të cilën do ta merrte të hënën, shkruan Panorama.

Goditja me thikë nga Alban Voda në trupin e të ndjerit, ka qenë fatale, çka i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Mjeti prerës metalik është përdorur nga 30-vjeçari në një moment gjaknxehtësie e sipër fill pasi pensionisti dyshohet se e ka ofenduar, duke e etiketuar si të çmendur.

Kaq ka mjaftuar që Voda të nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar atë me një goditje të vetme në qafë. Pak orë pas ngjarjes, Voda u arrestua nga Policia, pasi u gjet në një vend të veçuar afër qendrës së fshatit ku, me sa duket, priste grupin e gatshëm ta arrestonte.

Patrulla “Shqiponja” e mbërritur nga Gjirokastra, prangosi të riun, i cili ka një fizik të fortë falë edhe stërvitjeve dhe teknikave që ka përdorur, kur ka qenë me mision paqeruajtës në repartin komando në Afganistan apo dhe Irak, shkruan “Panorama”.
Policia përveçse ka arrestuar agresorin, shoqëroi edhe dy banorë të fshatit, të cilët vlerësohet të kenë parë të gjithë ngjarjen e paprecedentë. Banorët e fshatit, në shumicën e rasteve, nuk kanë dashur të jepnin informacione rreth agresorit, ndoshta nga frika e hakmarrjes së tij në një të ardhme, por në grup e kanë dënuar veprimin e tij, që i mori jetën 66-vjeçarit Hoxha.

I riu, sipas dëshmisë së Pëllumb Çetës, komshiut të viktimës Hoxha, rrjedh nga një familje normale, madje vetë agresori nuk është shquar për ndonjë sjellje anormale me banorët e rastësishëm të fshatit Corrogunjë.

Vetë Pëllumbi ka qenë në dijeni të një konflikti që ka ndezur gjakrat mes Hoxhës dhe Vodës këtu e një vit e gjysmë. Në atë periudhë, gjakrat u qetësuan disi, por Policia e Përmetit asnjëherë nuk i ka marrë në konsideratë ankesat e herëpashershme të 66-vjeçarit, pasi ai shumë herë është kanosur nga agresori.

Mësohet se Hoxha dy herë i ishte drejtuar Komisariatit të Policisë së Përmetit për të kërkuar mbrojtje nga 30- vjeçari Voda, por që asnjëherë kjo mbrojtje nuk iu vendos në dispozicion. Të vërtetën që solli konfliktin mes tyre askush nuk e di, madje as edhe bashkëshortja e viktimës, e cila ka mohuar të ketë pasur dijeni për natyrën e konfliktit që gjeneroi mes tyre.

Por burime nga grupi hetimor pohojnë se bëhet fjalë për një çështje pronësie të diskutueshme mes agresorit dhe viktimës. Ndërkaq, nuk përjashtohet edhe pista e hashashit vitin e kaluar, ku ish-komandoja mendohet se ka qenë kultivues i bimëve narkotike në tokën e viktimës.

Ky element jo pak i rëndësishëm po merret në konsideratë nga grupi hetimor, por kërkohen të dhëna shtesë për të hetuar në këtë drejtim, ndërsa vetë agresori sot nuk ka folur aspak në prani të oficerëve të Policisë Gjyqësore.

Alban Voda ka qenë komando në Afganistan dy herë me misione paqeruajtëse dhe prej tri vitesh ishte kthyer në Shqipëri. 30-vjeçari ka shërbyer në dy misione paqeruajtëse në Afganistan, 2010-2011 në Kabul, dhe janar-korrik 2012 në Herat.

Pas Afganistanit, mendohet se ka shërbyer komando edhe në Irak, por deri më tani nuk ekzistojnë prova për ta vërtetuar këtë gjë./albeu.com /

Shtuar më 06/03/2017, ora 15:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori