Ish-sekretari i Përgjithshëm: NATO e mbivlerësoi ushtrinë ruse

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka deklaruar se kjo organizatë e ka mbivlerësuar ushtrinë ruse.

Pothuajse menjëherë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi një pushtim të Ukrainës, aleanca ushtarake transatlantike donte të ripërtërinte edhe njëherë qëllimin e saj.

Anëtarët e NATO-s nxituan t’i vinin në ndihmë Ukrainës, rritën shpenzimet ushtarake, u bënë më të bashkuar dhe dukej se do të fusnin edhe dy vende të reja në strehën e tyre.

Megjithatë, lufta e vazhdueshme e Rusisë ka vënë në pikëpyetje vendimet e NATO-s dhe shteteve të saj anëtare të marra në dy dekadat e fundit.

A u zgjerua shumë shpejt blloku?

A duhet t’i kishte dhënë Gjeorgjisë dhe Ukrainës një udhërrëfyes drejt anëtarësimit?

A mund të kishte qenë më e vetëdijshme për ambiciet përfundimtare të Putin-it dhe të kishte bërë më shumë për ta penguar atë?

Anders Fogh Rasmussen, ishte Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s midis viteve 2009 dhe 2014, një periudhë që përkoi me dy akte të tjera të agresionit rus.

Fillimisht në vitin 2008, kur Rusia aneksoi Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut nga Gjeorgjia, dhe më pas në 2014-ën, kur Putin-i shtriu duart mbi Krimenë.

Ndoshta pjesërisht për shkak të përvojave të tij, Fogh Rasmussen themeloi Aleancën e Demokracive në 2017, e cila po pret Samitin e Demokracisë në Kopenhagë këtë javë.

Ai në një intervistë me prestigjiozen “Foreign Policy” deklaroi se NATO nga kjo lufte ka nxjerrë disa mësime.

Sipas tij, fillimisht janë bërë dy llogaritje të gabuara.

“Ne e kemi mbivlerësuar forcën e ushtrisë ruse. Pavarësisht investimeve të mëdha në pajisje ushtarake dhe rihapjes së bazave të vjetra sovjetike, ne kemi parë një ushtri ruse shumë të dobët”, tha ish-sekretari i NATO-s.

Për të mbetet për t’u parë pse ndodh kjo.

“Mendoj se korrupsioni mund të jetë një nga arsyet. Por llogaritja tjetër e gabuar është se ne kemi nënvlerësuar brutalitetin dhe ambiciet e presidentit Putin”.

Por Rasmussen thekson se Rusia ka ndaluar deri më tani përdorimin e armëvve bërthamore.

“Shumë shpesh më bëhet pyetja nëse jam i shqetësuar për kërcënimet bërthamore nga udhëheqja ruse. Aktualisht, nuk jam aq i shqetësuar sepse Putin-i e di shumë mirë se nëse do të përdorte armë të shkatërrimit në masë, armë taktike bërthamore, armë kimike, armë biologjike, do të kishte një përgjigje të vendosur ushtarake të NATO-s”.

Në intervistë ish-sekretari u pyet edhe për vizitën e ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në Turqi dhe ‘autoritetin në rritje të Erdogan’.

Sipas tij, vizita e ministrit rus, në Turqi nuk do ta ndalojë nisëm që Finlanda dhe Suedia t’i bashkohen NATO-s.

“Mendoj se në fund të ditës Finlanda dhe Suedia do t’i bashkohen NATO-s. Erdogan e përdor këtë si levë për të zgjidhur disa çështje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara. Unë mendoj se në thelb ka të bëjë më shumë me marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara sesa midis Turqisë dhe dy vendeve nordike”, shpjegoi ai fillimisht.

Për ish-sekretarin e NATO-s duhen përjashtuar të gjitha spekulimet për dëbimin e Turqisë.

Kjo pasi, përveç faktit që ne nuk ka një mekanizëm formal për të dëbuar anëtarët e NATO-s, por më e rëndësishmja, strategjikisht, do të ishte një gabim i madh nëse do të izolohej Turqinë.

Në intervistën e tij ai deklaron se NATO ka bërë disa gabime në vite.

E parë në retrospektivë, për të gabimi i parë u bë shumë vite më parë.

“Ishte në vitin 2008 kur kishim një samit të NATO-s në Bukuresht, ku vendosëm që Ukraina dhe Gjeorgjia të bëhen anëtarë. Por ne nuk mund të biem dakord për t’u dhënë atyre një të ashtuquajtur plan veprimi të anëtarësimit. Dhe kjo ndarje brenda NATO-s i dërgoi mesazhin e gabuar Putin-it, i cili sulmoi Gjeorgjinë disa muaj më pas në gusht 2008”.