Ish-deputeti akuza Bashës: PD i humb zgjedhjet, çadra pa vlerë
Ish-deputeti i PD-së Fatos Hoxha shpërthen në akuza ndaj kryetarit Lulzim Basha dhe protestës së tij në ditën e 48 në çadër.

I ftuar dje në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku ai e ka cilësuar çadrën një mjet pa vlerë. Çfarëdo të ndodhë, të shtyhen ose jo zgjedhjet, të krijohet ose jo qeveri teknike, Partia Demokratike do t’i humbasë zgjedhjet” , tha ai gjatë emisionit në të cilin ishin ftuar edhe figura të tjera të jetës publike në vend.

Hoxha ka bërë përgjegjës për këtë situatë duke vënë gishtin te kreu i PD Lulzim Basha duke thënë se “Basha nuk u bë dot lider i Partisë Demokratike dhe si i tillë ai nuk mund të drejtojë PD në fitore”.

Hoxha e argumentoi këtë edhe me faktin se kreu i PD justifikohet kur humbet zgjedhjet siç ka ndodhur në zgjedhjet lokale të vitit 2015 por edhe ato të pjesshme në Korçë, Dibër dhe Kolonjë.

“Unë e marr të mirëqenë që PS do t’i vjedhë zgjedhjet, por sado vota të vjedhë, nëse PD do të ishte atje ku duhet kjo nuk duhet të përbënte fare problem” tha ai duke kujtuar zgjedhjet e vitit 2005 kur makina shtetërore e asaj kohe sipas tij kishte mundësi shumë më të mëdha për të bërë abuzime, por Partia Demokratike i fitoi zgjedhjet.

Një tjetër akuzë e rëndë e hedhur nga Hoxha është edhe sipas tij në çadrën e lirisë ka më shumë personazhe të majtë se sa të djathtë.
“Unë si anëtar i PD nuk kam shkuar asnjë ditë në çadër sepse nuk mund ta kuptoj se si mund të protestoj në krah të figurave më të rëndësishme të PS që dikur ishin bashkëpunëtorë të Fatos Nanos dhe tani na udhëheqin protestën e PD.

“Mua nuk më motivojnë figura të dikurshme të PS që sot janë ideatorë dhe drejtues të çadrës, ish-deputetë, ish-ministra e ish-këshilltarë të Fatos Nanos. Ata i kam pasur kundërshtarë politikë dhe nuk mund t’i kam bashkëprotestues” deklaroi Hoxha.


Shtuar më 07/04/2017, ora 08:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori