Ischinger: Harrojeni ndarjen e Kosoves
Albeu.com
Sipas Ishinger, Kosova dhe Serbia duhet të rifillojnë procesin e negociatave për çështjet konkrete, mirëpo ai ka përjashtuar mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe ka shtuar se statusi i saj është "sqaruar".Ish-ndërmjetësuesi në bisedimet për statusin e Kosovës, Wolfgang Ischinger, ka përsëritur qëndrimin e tij se, Kosova dhe Serbia duhet të rifillojnë procesin e negociatave për çështjet konkrete, mirëpo ai ka përjashtuar mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe ka shtuar se statusi i saj është "sqaruar".
Në një intervistë për Radion “Deutsche Welle”, Ischinger ka sqaruar deklaratën e tij të mëhershme se, Kosova dhe Serbia duhet të rifillojnë procesin e negociatave.
“Nuk e di si më kanë cituar, por shpresoj se në afat të shkurtër apo më të gjatë do të ketë negociata mes shqiptarëve dhe serbëve. Mirëpo në diplomaci iniciativat kanë gjithmonë një kohë të përshtatshme dhe të papërshtatshme. Presidentët Tadiq dhe Sejdiu, si dhe dy kryeministrat janë ata që duhet të gjejnë momentin më të mirë për rifillimin e negociatave”, ka thënë ai.

Vendimi, sipas Ischingerit, nuk është i lehtë për asnjërën palë. “Prandaj duhet të presim edhe ca kohë, por mendoj se ne perëndimorët duhet të kërkojmë nga palët që t'i rikthehen linjës të bisedimeve, siç ishte në kohën e ndërmjetësimit të trojkës, dhe të bisedojnë se si të jetojnë njëri pranë tjetrit”, ka vlerësuar Ischinger.

“Për mua nuk është me rëndësi nëse bisedimet fillojnë vitin e ardhshëm, por që ky duhet të jetë objektivi, të cilin e pranojnë të dyja vendet’, ka shtuar ai.

I pyetur nëse çështja e statusit të Kosovës për të është punë e përfunduar, apo nëse mendon se duhet të bisedohet ende për statusin, Ischinger ka thënë: "Jo, jo. Çështja e statusit sipas mendimit tim është sqaruar”.

“Tani duhet sqaruar çështjet e qarkullimit të qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës, nga të dyja anët e kufirit, duhen shikuar mundësitë e organizimit më të mirë të tregtisë, komunikacionit dhe bashkëpunimit mes njerëzve. Fjala është pra për çështjet praktike me interes për të dyja palët”, ka shpjeguar ai.

“E përsëris edhe një herë: për shqiptarët dhe serbët ekziston edhe një shembull shumë i mirë i zgjidhjes së problemeve praktike. Është ky modeli i raporteve mes Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore. Në vitin 1973 është nënshkruar një marrëveshje mes këtyre dy shteteve, të cilat kishin një përfytyrim plotësisht të kundërt për ardhmërinë e tyre kombëtare dhe rregullimin e shtetit. Marrëveshja mundësonte qarkullimin e njerëzve, vizitat e familjarëve nga të dyja anët e kufirit dhe lehtësime të tjera të shumta. Këtë ëndërroj kur mendoj për Serbinë dhe Kosovën, që njerëzve t'u lehtësohet gjendja, të ketë tregti të lirë dhe investime, që do të ishte në interes jo vetëm të Serbisë dhe Kosovës, por edhe tërë rajonit", ka përfunduar diplomati gjerman. (DW)
Shtuar më 31/10/2008, ora 21:44
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori