Iraku e Egjipti do te njohin Kosoven?
Albeu.com
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur te merkuren një delegacion parlamentaro-akademik nga tri vende arabe: Gamal Zahran-deputet në Parlamentin egjiptian, Alaa Makki Abdul_Razzak - deputet në ...... Parlamentin irakian, Mohammad Alratawi - drejtor i Qendrës AL-Quad dhe Muhamed Mufaku - profesor në Universitetin e Jordanisë.
Krasniqi, me këtë rast – siç thuhet në një komunikatë të Kuvendit – ka theksuar lidhjet e fuqishme historike dhe kulturore ndërmjet Kosovës dhe vendeve arabe, si dhe ka shprehur nevojën që Kosova si vend i ri i pavarur të ketë marrëdhënie të mira me këto vende. Ai, më këtë rast, ka shpjeguar rrugën e mundimshme që ka kaluar Kosova drejt pavarësisë, duke u shprehur i bindur se anëtarët e delegacionit arab do të transmetojnë gjerësisht në vendet e tyre të vërtetën për Kosovën, do të ndikojnë pozitivisht në marrëdhëniet ndërmjet dy popujve dhe sidomos për njohjen e shtetit të Kosovës.

Deputet në Parlamentin egjiptian, Gamal Zahran, ka pohuar se Egjipti si një vend lider i botës arabe, duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe kësisoj të ndikojë edhe tek vendet e tjera arabe dhe islamike për ta njohur dhe mbështetur Kosovën. “Do të kërkojmë nga kryetari i Parlamentit egjiptian që ta shtrojë çështjen e njohjes së Kosovës, kurse nga Qeveria dhe Ministria e Jashtme do të kërkojmë, fillimisht njohjen e pasaportave të Republikës së Kosovës dhe menjëherë pas kësaj edhe njohjen e Kosovës”, ka thënë Zahran.

“Kemi ardhur të dëshmojmë se e përkrahim pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ndërkaq deputeti në Parlamentin irakian, Alaa Makki Abdul, i cili ka pohuar se populli i Irakut, populli i Egjiptit dhe gjithë populli arab i gëzohen pavarësisë së Kosovës. Ai ka pohuar se populli i Irakut ka vuajtur ngjashëm me popullin e Kosovës nën regjimet diktatoriale, duke shtuar se Sadam Hussein ishte miku dhe aleati i Sllobodan Millosheviqit. “Prandaj nuk shoh arsye që vendi im ta njohë shumë shpejt Kosovën e pavarur dhe demokratike”, ka spikatur Abdul.

Drejtor i Qendrës AL-Quad, Razzak Mohammad Alratawi, ndër arsyet e vonesës së shteteve islamike dhe arabe për njohjen e Kosovës i ka parë tek informimi i pamjaftueshëm për zhvillimet këtu, tek motivimi i pamjaftueshëm ekonomik, për shkak të largësisë gjeografike me Kosovë, por edhe tek ndikimi i fuqishëm rus tek disa nga këto vende. Ai, por edhe parlamentarët arab në këtë takim, e kanë mbështetur idenë për nevojën e krijimit të një grupi profesional në Kosovë për kontakte me botën arabe dhe islamike.

“Nëse punohet mirë me vendet i Konferencës Islamike dhe ato të Ligës Arabe, brenda gjashtë muajsh Kosovën do ta njohin më shumë se njëzet vende anëtare të këtyre organizatave”, kanë theksuar mysafirët arabë.

Ata janë shprehur optimist se delegacione parlamentare dhe qeveritare të Kosovës shumë shpejtë do të jenë mysafirë në Kajro, Bagdad, Aman, e në kryeqytete të tjera arabe. /Telegrafi/
Shtuar më 29/07/2009, ora 23:18
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori