Projekti zviceran, që vë në dukje situatën aspak pozitive të digave në Shqipëri, ka vënë në lëvizje qeverinë shqiptare. Burime të gazetës thonë se ministri i Ekonomisë dhe Energjetikes, pasi është njohur me raportin e ...... SECO, ka kërkuar mbështetjen e donatorëve. Takimi është zhvilluar në muajin tetor 2009, nga ku është kërkuar nisja e marrëveshjeve me të gjithë donatorët që do të ofrojnë mbështetje financiare.
Faza e parë e projektit, sipas studimit të zviceranëve të SEKO, kushton rreth 65 milionë euro dhe konsiston në ndërhyrjen e disa elementeve përreth digave, siç është ura pranë hidrocentralit të Fierzës, e cila u dëmtua këto ditë nga shkarkimet e mëdha. Si transmeton edicioni on-line i Startit, i gjithë projekti kushton 200 milionë euro dhe konsiston në sigurimin dhe mbrojtjen e digave në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat, në veri të vendit. Deri tani qeveria ka siguruar rreth 63 milionë euro nga premtimet e donatorëve.
Të parët në listë janë Banka Botërore, me rreth 36 milionë euro, më pas banka gjermane e KfW-së, me rreth 20 milionë euro, si dhe qeveria zvicerane me afro 7.6 milionë franka (gati 5 milionë euro). Diferenca e mbetur pritet të sigurohet nga BERZH-i, i cili ka dhënë aprovimin paraprak. Ministri Prifti ka treguar interes për krijimin e një grupi donatorësh, që do të mundësojnë mbështetje për sigurimin e digave.
“Gjendja e tanishme e sigurisë së digave është e pasigurt dhe një fatkeqësi me përmasa masive mund të konsiderohet e mundshme në një të ardhme jo të largët, nëse gjërat do të lihen të përkeqësohen më tej”, thuhet në një pjesë të raportit të SECO.
Shtuar më 13/01/2010,
ora 23:11