Investime për fëmijët edhe në periferi, këndi i 43 i lodrave ndodhet në Vaqarr


Falë projektit të Bashkisë së Tiranës “Luaj Tirana”, i cili po shtrihet edhe në zonat rurale, fëmijët e Vaqarrit kanë një kënd të ri lojërash. Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte sot në hapjen e këndit me sipërfaqe 1155m2, që plotëson nevojat e të gjitha grupmoshave të komunitetit në zonë, me module e lodra për fëmijë e hapësira çlodhjeje për më të rriturit.

AI theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur, duke shtrirë investimet jo vetëm në qendër, por edhe në zonat rurale. “Është gjithmonë kënaqësi e jashtëzakonshme rikthimi në Vaqarr. Ky është këndi ynë i 43-të në 43 muaj punë në Bashkinë e Tiranës. Pas këndeve të lojërave në Krrabë, në Dajt, në Kashar, në Farkë, tani kemi edhe këndin e lojërave në Vaqarr, për t’u siguruar që fëmijët e Tiranës, pavarësisht ku jetojnë, në ish komuna apo në qendër të Bllokut, të kenë të njëjtin akses për një fëmijëri të shëndetshme”, deklaroi Veliaj.

Por, investimet në zonën e Vaqarrit nuk ndalen këtu. Bashkia e Tiranës do të vijojë punën e nisur për rikonstruksionin shkollave në këtë zonë, mbjelljen e pemëve, ndërkohë që Liqeni i Vaqarrit po transformohet tërësisht, nga një vend grumbullim mbetjesh në një park të vizitueshëm. “Do të vazhdojmë edhe me mbjelljet, edhe me rikonstruksionin e shkollave. Vaqarri ishte ai që vuante më shumë nga landfilli i vjetër i Sharrës; por landfilli i ri jo vetëm ka eliminuar mbetjet, helmet dhe djegiet që ndodhnin aty, ndërsa sot është kthyer në një park. Ndërkohë, po i rikthejmë fytyrën e vërtetë liqenit të Vaqarrit. Ka qenë një zonë pyjore, me pisha, e degraduar, e vjedhur, e prerë, e shkatërruar, sot po rimbillet”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ndërkaq, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar kanë nisur bisedimet për rindërtimin e rrugës kombëtare Tiranë – Ndroq-Plepa, që do t’i jepte kryeqytetit një hyrje të re, por njëkohësisht edhe një impuls të ri zhvillimit ekonomik të gjithë zonave ku kalon. “Lajmi shumë i mirë që kemi me Blerinën sot është se edhe ministrja e re e Infrastrukturës, edhe drejtoresha e re e ARRSH-së, po shikojnë të gjitha mundësitë që të nxitet më shpejt financimi i rrugës Tiranë-Ndroq. Vërtet shumica e atyre që shkojnë në Durrës përdorin autostradën, por ama në këtë rrugë ka burime të jashtëzakonshme; bujtinat, agroturizmin, hapësirat e fermerëve dhe të familjeve që jetojnë me bujqësinë, janë në luginën e Erzenit. Ndaj, mezi pres që bashkë me qeverinë qendrore të punojmë rrugët kapitale dhe ata të nxitojnë me rikonstruksionin e rrugës Tiranë-Ndroq”, tha Veliaj, teksa siguroi se Bashkia e Tiranës do të vijojë gjatë gjithë këtij sezoni me investimet në zonat rurale.

Ai nënvizoi se Shqipëria ndryshon vetëm nga ata që e çojnë deri në fund detyrën dhe angazhimet e marra përpara qytetarëve. “Shqipëria ndryshon nga ata që e marrin përsipër detyrën, jo nga ata që e lënë lojën në mes, jo nga ata që dorëzojnë përgjegjësitë, jo nga ata që prishin në mes të rrugës kontratën me qytetarët dhe thonë: U lodha tani, nuk dua më! Kush ka bërë kontratë me qytetarët, si deputet, si kryetar bashkie, si njësi administrative, duhet ta çojë deri në fund, ndryshe mesazhi që japim për qytetarët është se nuk e kemi me të vërtetë këtë punë. Bashkia e Tiranës, qeveria shqiptare, njësitë tona administrative janë shumë serioze. Ne jemi seriozë edhe për lojërat e kalamajve, jo më për gjëra shumë të rëndësishme që kanë impakt në komunitetin tonë”, theksoi Veliaj.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës për të shtrirë investimet e saj edhe në zonat rurale, që dikur kanë qenë pjesë të ish-komunave. “Punë fantastike që edhe fëmijët e Vaqarrit të kenë të njëjtin trajtim, të kenë mbi të gjitha të njëjtat hapësira ku mund të luajnë dhe të kënaqen sikundër çdo fëmijë tjetër i bashkisë së madhe të Tiranës. Nuk kemi më ndryshime nga qendra në periferi. Atë që po shikojmë këtu do ta shikojmë në çdo qendër tjetër të njësive administrative, dikur ish-komuna. Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj duhet t’i themi një super faleminderit për çfarë janë duke bërë, pasi e nisëm me qendrën e Tiranës dhe kemi vazhduar me gjithë qendrat e tjera të njësive administrative”, tha Gjylameti.

Krahas punës për të ndërtuar hapësira rekreative dhe argëtimi për të vegjlit në çdo lagje të qytetit, Bashkia e Tiranës po i kushton një rëndësi të veçantë edhe zonave periferike dhe rurale, në mënyrë që të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë.
Shtuar më 23/02/2019, ora 14:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori