“Loja mbaroi”, Rama bën apelin e rëndësishëm lidhur me kolaudimet

Kryeministri Edi Rama ka bërë një pasqyrim të procesit të kolaudimit të automjeteve.

Nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, kreu i qeverisë thotë se që nga rinisja e këtij shërbimi janë testuar 15,167 mjete.

“Nga rinisja e shërbimit të kontrollit teknik, tagër tashmë ekskluziv i DPSHTRR, (në 15 ditët e para) janë testuar 15,167 mjete nga të cilat: 10,063 Automjete (4 deri 8+1) (66%), 1,156 autobusë (8%), 3,179 Kamionë (21%), 617 Rimorkio (4%), 120 Motomjete (0.8%), 32 Mjete Ndërtimi/Punimi Toke (0.2%)”.

Sa i përket mjeteve që nuk kanë mundur ta kalojnë kontrollin teknik, Rama thotë se ato janë 3,454.

“3,454 mjete ose 23% e totalit të mjeteve janë ngelur/refuzuar! 2,607 (75.4%) Mjete janë ritestuar pas riparimeve dhe plotësimit të normave! 667 (19.4%) Mjete të ngelura, u ndalohet qarkullimi dhe priten për t’u riparaqitur në testim pas riparimeve! 180 (5.2%) Mjete të refuzuara, u ndalohet qarkullimi (xhama të dëmtuar, goma të tejkonsumuara, defekte të rënda në sisteme, pamje e jashtme jo e rregullt)!”

Rama paralajmëron se nuk do të ketë më tolerime me kolaudimin, teksa iu drejtohet me një apel të gjithë shoferëve.

“Riparoni në afatet ligjore mjetet rrugore! Kontrolloni mjetin përpara çdo udhëtimi! Kodi Rrugor, neni 71, pika 5 dhe neni 78, pika 4 ju bëjnë direkt përgjegjës nëse dilni në qarkullim me mjet rrugor me mangësi teknike ose funksionale! Penalizimet: Masa, gjoba, pezullim licencash dhe deri dalje e përhershme e mjetit nga qarkullimi! S’ka më “shaka” me kolaudimin!”


Shtuar 20.06.2021 20:55