Patozi: Mbroj gjithçka kam thënë për Bashën
Astrit Patozi
Deputeti i PD-së, Astrit Patozi, në një intervistë në emision “Fakt” të gazetarit Çim Peka, ka folur për aksionin opozitar dhe detyrën që ka opozita për të qenë e ashpër kundër qeverisë.

Ai thotë se nuk i heq asnjë presje kritikave që i ka bërë procesit që nxori në krye të PD Lulzim Bashën, por pret që ky i fundit si kryetar partie të dëshmojë personalitetin e tij politik.

A jeni i kënaqur me cilësinë që ka grupi parlamentar i PD-së dhe a mendon se funksionon një lloj dualizmi i panevojshëm ku kryetar grupi de juro është zoti Paloka por de fakto është zoti Berisha?
Nuk jam i kënaqur asnjë herë me atë që bën grupi parlamentar i PD-së dhe këtë e kam thënë edhe kur isha kryetar i këtij grupi. Nga forca ime politike pretendoj gjithmonë më shumë.

A ja ul grintën dhe cilësinë fakti që zoti Berisha është aq aktiv?
Zoti Berisha është një politika i një kalibri të gjithë pranuar. Është njeriu që i ka dhënë tonin politikës për 23 vjet rresht dhe në politik aktive, si në pushtet dhe në opozitë.

Keni qenë në korrik të vitit 2013 kundër zgjedhjes së zotit Basha si kryetar i PD-së, por sot flisni për një PD që po performon mirë në parlament. Jeni bërë pishman që nuk e mbështetët zotin Basha?
Unë nuk kam thënë kurrë që nuk kam mbështetur zotin Basha dhe nuk kam thënë kurrë që kam mbështetur dikë tjetër. Kjo është e vërteta. Kam kundërshtuar procesin dhe nuk i heq asnjë presje asaj që kam thënë. Zotin Basha e kam dashur që ditën e parë dhe do ta dua deri ditën e fundit që do të jetë kryetar i partisë time. E kam dashur, si ish-ministër, si kryetar bashkie, si koleg. Zgjedhjen e zotit Basha nuk e kam vënë asnjë herë në dyshim që është legjitime.

Ka gabime të zotit Basha në drejtimin e PD-së në këto 8 muaj?
Zoti Basha më shumë se kushdo tjetër është në provë. Është shumë më tepër në provë sesa Rama në qeveri. Sepse Edi Rama ka provuar për shumë vite të jetë udhëheqësi i PS-së dhe ishte normalitet që u bë kryeministër. Zoti Basha është më tepër në provë sepse ka një eksperiencë fare të re dhe të papritur nuk është se erdhi si një projekt i paracaktuar. Është në provë sepse është një eksperiencë e re, partia që ai drejton vjen pas një rezultati jo të këndshëm dhe është në një linjë normale të rritjes së tij si lider politik.

A i plotëson zoti Basha pritshmëritë tuaja në këto tetë muaj?
Zoti Basha po bën ato që duhet në këto muaj, po sigurisht do të kemi më shumë mundësi për ta gjykuar rezultatin e projektit të tij. Kemi nevojë edhe për disa prova të tjera për të thënë një gjykim më të plotë për mënyrën sesi ka drejtuar zoti Basha.
Shtuar më 16/05/2014, ora 21:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori