Intervista, kapja e hajdutëve që vodhën 100 milionë nuk i gëzon të dëmtuarit
Pëlqej
Janë kapur nga policia dy autorë të cilët vodhën 110 milionë lekë të vjetra por kjo nuk i ka gëzuar të dëmtuarit. Ata kanë një hall më të madh të cilët janë shprehur edhe për mediat.

Drejtësia të detyrojë dy autorët që na grabitën 110 milionë lekë dhe makinën luksoze, të tregojnë vendin se ku i kanë fshehur dhe të na i kthejnë ato. Ne kemi informacione se ata do t’i përdorin këto para për të paguar prokurorë e gjyqtarë, me qëllim për të fituar lirinë”.

Kështu shprehet Flora Kalemaj, bashkëshortja e Xhemal Kalemaj, të cilëve, më 29 maj të vitit të kaluar, iu vodh shuma e majme e parave. E zonja e shtëpisë shprehet se ato para ato i kanë grumbulluar falë punës së tyre shumëvjeçare, me një dyqan produktesh ushqimore,shkruan panorama.

Paratë, ajo bashkë me të shoqin, i kishin bërë gati për të shlyer një kredi dhe për të bërë disa pagesa të tjera, por mesa duket, dy autorët e arrestuar pak ditë më parë, Renaldo Latifi dhe Xhuljan Muça, kanë qenë në dijeni të të gjitha lëvizjeve dhe planeve të tyre familjare.

Tani drejtësia ka dy autorë të dyshuar, Renaldo Latifin dhe Xhuljan Muçën. A kishit njohje më herët me këta djem?

I njihnim dhe na njihnin. Ata ishin atje në Levan. Ky Xhuljani kishte një lokal atje, që e menaxhonte bashkë me të motrën, B.M. Ndërsa Latifi ishte kamerier tek ata

Vinin tek ju? Ju kishte rënë në sy ndonjë veprim i dyshimtë?

Ai Latifi sidomos, vinte shpesh për të thyer lekë të holla, që t’iu kthente reston klientëve. Ne e ndihmonim gjithnjë. Po ashtu edhe motra e Xhuljanos na mbeti në derë. Vinte te ne e nuk ikte. Kisha bërë edhe debate me tim shoq, sepse po dyshoja pse ajo vinte aty pa lidhje, pa pasur asnjë punë te dyqani ynë

Pra, asokohe patët dhe probleme xhelozie?

Jo xhelozie, sepse bashkëshorti është shumë i rregullt, por ama i kërkoja ta largonte atë grua. Dhe ai më thoshte s’kam çfarë t’i bëj. Me pak fjalë, ishin bërë personazhe të njohura te ne dhe na bezdiste herë pas here prania e tyre, sidomos e kësaj gruas, që dyshoj se është bashkëpunëtore.

Znj. Flora, si arritët ju të kurseni aq para?

Vetëm nga puna. Ato, në njëfarë mënyrë, nuk ishin tonat fare. Ne marrim mall pa para shpeshherë dhe presim derisa të shitet malli që të shlyejmë lekët. Kjo është e gjitha. Kemi marrë edhe një kredi me herët dhe na kishin mbetur edhe 20 milionë lekë që ta shlyenim të gjithën.

Po fëmijët ku jetojnë dhe a ju ndihmojnë?

Fëmijët janë me studime në Tiranë. Nuk mund të na ndihmojnë sepse po shkollohen. Jetojnë me gjyshen e tyre atje.

Çfarë kërkoni nga drejtësia, duke qenë se autorët nuk e kanë pranuar ta kenë bërë ata grabitjen?

Kërkoj që ato para të mos përdoren për të blerë lirinë. Ka zëra se me ato 100 milionë ata do ta apelojnë rastin dhe do ia japin Gjykatës e Prokurorisë për t’i nxjerrë të pafajshëm. Dua që drejtësia të bëjë punën e saj. T’i bëjë të bashkëpunojnë e të tregojnë ku i kanë paratë, sepse unë kam bindjen që ata nuk i kanë prishur ato.

E kishin frikën se u dilte në skenë vjedhja po t’i prishnin. Prandaj, t’i shtrëngojnë që ata të tregojnë. Në momentin që ne marrim paratë e makinën, nuk na intereson se çfarë do bëhet me ta. Por jo me paratë tona, të paguajnë krimin. Këtë s’do ta lejojmë të ndodhë.
Shtuar më 23/04/2018, ora 07:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori