INTERVISTA/ Gjyqtari Guximtar Boçi rrëfen video-skandalin: Kam bërë një faj
Ish-kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër, Guximtar Boçi ka folur për herë të parë pas skandalit seksual ku ai ishte inçizuar duke i kërkuar një qytetareje seks në këmbim të drejtesisë. Në një intervistë për “Panorama”, Boçi thekson se nuk është fajtor për atë që ka ndodhur dhe se gjithçka do të sqarohet nga gjykata. Sipas tij, ai është viktimë e një kurthi, të cilin ia kanë ngritur njerëz të caktuar nga kolektivi.

Zoti Boçi, e keni ndjekur audion që u shfaq në një emision investigativ, ku ju keni qenë protagonist?

E kam ndjekur më vonë pasi është shfaqur, sepse kisha një gëzim familjar. Unë të enjten në orët e pasdites kisha çeljen e ceremonisë së dasmës së vajzës sime të madhe, Çeljetës, e cila martohet këtë të shtunë. Por sinjalet e shfaqjes së një materiali të tillë i mora kur po i gëzohesha festës së kolektivit të Gjykatës së Faktit, apo dhe të Apelit, dhe kolegëve të mi në Prokurorinë e Gjirokastrës. Pra kisha ftuar të gjithë kolektivin në një darkë, për nder të martesës së gocës sime të madhe.

Imagjino, që këtu nis keqdashësia ndaj meje nga persona, interes i të cilëve është shkatërrimi im familjar, profesional dhe moral.

Cilët janë këta persona që juve mendoni se ju duan të keqen dhe a keni emra?

Unë sot për ju nuk do them asnjë emër, por do të vijë momenti që emrat e tyre do të dalin në zbardhjen e të gjithë këtij veprimi të pistë, në organet legjitime sepse kjo çështje do të ballafaqohet në gjykatë sepse vetëm kjo e fundit do të japë vlerësimet e duhura nëse Guxim Boçi është fajtor, a ka konsumuar qoftë edhe një vepër penale apo jo.

Po ju, në të vërtetë zoti Boçi, e ndieni veten fajtor në historinë e një dite më parë që u denoncua nga një grua?

Faji im është që unë atë person e kam pranuar në zyrë, sepse kryetari i gjykatës nuk e ka për detyrë të presë dhe të përcjellë persona që kanë çështje të diskutueshme në procese gjyqësore, por unë, nisur nga kërkesat e shumta që ajo kishte për të më takuar për çështjet e veta, pranova që ta prisja.

Kur ka ardhur në zyrë dhe kur është takuar me ju?

Me sa mbaj mend, diku para më shumë se një viti. Këtë e kam të fiksuar fort mirë, madje kjo vërtetohet lehtësisht me datën e gjyqeve që ajo ka pasur me ish¬vjehrrën apo ish¬burrin se nuk e mbaj mend mirë, por që këtë e them se takimi në zyrë ka qenë para më shumë se një vit.

Në zyrë kur ka ardhur, keni qenë i vetëm me të, apo dhe dikush tjetër nga gjykata?

Ka qenë sekretarja ime kur ka ardhur ajo. Më erdhi keq se ishte duke qarë dhe ashtu duke qarë ka hyrë brenda në zyrë, ndonëse unë si tip i ndjeshëm kërkova që të qetësohej, të fshinte lotët dhe pastaj të fliste dhe të shtjellohej për hallin që kishte.

Sa ka zgjatur biseda me të?
Pak mund të them sepse ajo kërkonte që unë të ndërhyja në gjyqin e saj, pra të influencoja unë te gjykatësi që kishte çështjen e saj, gjë që unë e kam kundërshtuar në këtë bisedë, megjithëse ajo qante vazhdimisht dhe lotonte e gjitha. Në asnjë moment nuk është përmendur ndonjë kërkesë e imja karshi saj si shpërblim për këtë influencim. Këtë e them me garanci të plotë dhe jam gati ta vërtetoj me dëshmitarë.

Po gjykatësit të çështjes, a i keni thënë për këtë rast?

Thjesht kam kërkuar informacion sepse kjo është detyra ime në momentin që ka një ankesë nga një qytetar për një çështje të diskutueshme prej trupës gjyqësore. Por që të kem ushtruar presion karshi gjyqtares, absolutisht jo, sepse kjo është në kundërshtim të plotë me funksionin tim si drejtues dhe shkakton deformim të vendimmarrjes në këtë çështje.

Zonja pretendon se ju e keni puthur apo tentuar me veprime të tjera kundër dëshirës së saj dhe kjo ka ndodhur në zyrë. Si është e vërteta sipas jush?

E vërteta është se puthja që i kam dhënë ka qenë rutinë, si një puthje në faqe me dikë që takohesh dhe përshëndetesh kur largohesh me një mik, shoqe apo çdokush që e etiketon si të tillë. Unë këtë zonjë nuk e kisha as të afërt dhe asgjë, por thjesht i ofrova një veprim që ajo e ka instrumentalizuar më vonë për qëllime dashakeqe. Madje, po të ngelemi këtu në këtë pjesë, unë mund të them se ajo ka dashur që të më përqafonte dhe ofrohej për të më përqafuar, por unë kam mbajtur një qëndrim neutral si çdokush në një zyrë shteti, pra një distancë.

Por e theksoj, ka qenë një veprim rutinor që nuk u përgjigjet aspak qëllimeve dashakeqëse që ajo pretendon se unë kam pasur karshi saj. Po në klub jeni takuar?

Nuk e kam kërkuar unë por ajo, pra ajo më ka gjetur në klub, është ulur pa e ftuar njeri, pra unë apo dikush tjetër, dhe ka çelur biseda që unë nuk kam qenë kompetent për t’ia zgjidhur. Problemet e saj gjyqësore kërkonte që unë t’ia zgjidhja duke influencuar, por siç thashë më lart nuk mund ta bëja një gjë të tillë, madje mund të pyetet vetë gjykatësi i çështjes për këtë punë.

A i keni kërkuar ju zonjës që të kishit raport të afërt në këmbim të zgjidhjes së çështjes, ashtu siç doli në audioregjistrimin?

Absolutisht jo! Është një trillim i pastër, që shumë shpejt do të dalë një flluskë sapuni. E para sepse ka qenë incizim audio dhe jo video. Pra, tendenca për të manipuluar audion sot është mjaft e sofistikuar me avancimin e teknologjisë. Unë mund të them se biseda të tilla as janë bërë dhe as janë diskutuar ndonjëherë që unë t’i kem kërkuar favore intime në këmbim të një favori gjyqësor. Absolutisht jo, dhe kjo është shumë e turpshme e dashakeqe. Zonja e përdor këtë si mjet presioni dhe hakmarrjeje, pas humbjes së çështjes së saj në gjykatë dhe për këtë u dashkam diskredituar unë dhe familja ime, reputacioni im si kryetar gjykate dhe gjyqtar, në sytë e publikut, miqve, të afërmve, fëmijëve dhe të gjithë njerëzve të tjerë.

Zoti Boçi, meqenëse jemi te familja, si e priti ajo këtë lajm?

Ka qenë një bombë për ta. Unë kam një grua të mrekullueshme dhe dy vajza, njëra prej të cilave vë vellon ditën e shtunë. Ka qenë i pabesueshëm ky fakt. Familja ime është tronditur deri në palcë me këtë përdorim të turpshëm të një audio¬regjistrimi, që përdoret si trofe nga zonja në fjalë, për të më baltosur mua dhe gjithçka që unë kam ngritur në jetën time me ndershmëri.

Goditja ime erdhi pikërisht në ditën kur 3 vjet më parë unë jam zgjedhur në krye të Gjykatës së Gjirokastrës, pikërisht në ditën kur vajza ime doli nuse nga shtëpia si ditë e enjte. Dhe këto veprime të bëjnë të mendosh se janë rastësore? Jo kurrë! Unë nuk mendoj se janë rastësore, por janë tërësisht të qëllimta.

Nëse zonja kishte diçka konkrete, përse nuk e dorëzoi momentet e para, por priti një vit e gjysmë? Po përse pikërisht tani? Ka persona të tjerë që u duhet koka ime dhe gjetën këtë çështje për të më fundosur.

Kam menduar se pas kësaj vepre të ulët qëndron një pjesë e politikës shqiptare, ajo pjesë që mua më ka votuar kundër në KLD, me në krye kreun e saj, Nishanin. Nuk e harron Nishani apo të tjerët si ai vendimin për ligjshmërinë e zgjedhjes së kreut të Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës në vitin 2011, ku PD¬ja, së bashku me deputetin e saj të Gjirokastrës, kërkonte të kundërtën dhe unë atëherë i dhashë të drejtën kandidatit të PS¬-së që të zgjidhej në gjykatë kryetar i Këshillit të Qarkut. Pra, unë nuk pres të mira nga këta, por ka dhe të tjera që do t’i mësoni në vijim.

Pra ju mendoni se është goditje politike?

Po pse jo? E kam menduar dhe kam analizuar çdo detaj dhe më rezulton se një pistë e tillë mund të ketë prapavijë politike.

Cilat do të jenë veprimet e ardhshme tuajat?

Do të pres me qetësi të gjithë veprimet që do të ndërmerren, madje me dhimbje edhe divorcin që më pret në fillim të javës nga bashkëshortja ime. Kjo për shkak të asaj farse që u gatua dhe u transmetua dhe më pas do të dalë e vërteta. Mua m’u shkatërrua familja në një moment gëzimi, siç është dasma e vajzës sime. Për dëmet e shkaktuara mua, familjes sime, vajzave të mia që janë goditur psikologjikisht, dikush do të japë llogari dhe unë pres që llogaridhënia të jepet sa më shpejt. /Panorama/


BISEDA E PLOTË E INÇIZIMIT

Qytetarja – Ti e ke fajin

Gjyqtari – Ëëë, ndaj unë të merrja në telefon, ti nuk më përgjigjeshe, do pimë nanjë kafe.

Qytetarja – Pse s’të vija për kafe? Si të vija për kafe? Ti më kërkove të tjerat mua , si të vija për kafe unë?

Gjyqtari – Po ti, ato gjerat e tjera tek kafja jepen?

Qytetarja – Në momentin, që ti më vije në siklet dhe më kërkoje të
tjera gjëra, unë s’mund të vija për kafe me ty.

Gjyqtari – 10 herë, unë ta them prapë, atë punë kam unë.

Qytetarja – Si ma thua ti?

Gjyqtari – Prapë, se më pëlqen ta them edhe e them, pse c’lidhje ka?

Gjyqtari – Ja të ikin këta.

Gjyqtari – Po tani, si ti them unë, t’ia kërkojme icik kësaj?

Qytetarja – Po mirë, ja të ikin.
—————————­
Qytetarja – Do më thuash pak mua, si do ta zgjidh këtë hall, që më
ka… ?

Gjyqtari – Po c’a të të them unë, unë e kisha atje ti, se ne ia
shkruam ne ia bëmë. Di unë si e bëtë ju?

Qytetarja­ Po kam ardhur të kërkoj llogari, sepse ti më the cështjen e ke të fituar, jo se të bëj unë nder, por se të takon. A më the kështu?

Gjyqtari – Si mund të të përgjigjem kshu unë sa herë më thërret? Po
kur të thërras unë?

Qytetarja – Se unë të thërras për hall, ti më thërret për qejf.

Qytetarja­ Po mirë, ti po të ishe në vendin tim, të trokisje në derën e dikujt, të trokiste halli, se as të njihja më përpara, as më njihje . Më ofrove miqësi , më the kam respekt për babain tënd, do të ndihmoj, më vjen keq për ty, njërën, tjetrën…

Gjyqtari – Po.

Qytetarja – Deri këtu jemi shumë në rregull dhe me ato plus halle,
që kisha. Ke një hall dhe dikush të ofron ndihmë, verbërisht i beson.

Gjyqtari – Unë ta ofrova?

Qytetarja –Ai personi, që ta ofron ndihmën, të thotë unë dua, që të
bëhesh e dashura ime troc, se kshu ma the.

Gjyqtari – Po.

Gjyqtari – Të iku gjë ndonjë copë ty?

Qytetarja – Mua ndonjë copë?

Gjyqtari – Ee.C’pate ti?

Qytetarja –Më shqetësove.

Qytetarja – Si mund të ulesha unë prapë në kafe me ty? Në
momentin e parë, që unë ulesha në kafe me ty, ti më thoje mua: dua
të bëhesh e imja. Si do ulesha unë prapë për kafe?

Gjyqtari – Qe të bëhesh e imja duhet të doje edhe ti. Përderisa nuk
doje ti…

Qytetarja – Unë ta thashë, që herën e parë që ma the, unë të thashë
jo.

Gjyqtari – Po mirë, ka një herë të dytë, një herë të tretë, të katërt…

Qytetarja – ….Po unë të erdha në zyrë, e lamë që do vija në zyrë dhe ti u hodhe të më puthje mua në zyrë.

Gjyqtari – Ajo iku. Qe e para fare.

Qytetarja – Si iku ore?

Gjyqtari – Më kërkon llogari mua, se c’kam bërë. Në faqe në faqe të
putha, është respekt.

KUR GJYQTARI I THOTE NE LOKAL SE ESHTE GATI TI HIDHET
PRAPE…

(kalon një person)

Gjyqtari – C’është ky? Mos është ky, ai tëndi ky?

Qytetarja – Cili timi mo?

Gjyqtari – Ish­burri. Mos të ndjek më?

Qytetarja – C’punë kam unë, s’e njof fare kush është.

Qytetarja – Afrohu këtu mo afrohu këtu .

Gjyqtari – C’të afrohem , po u afrova nuk duroj dot.

Qytetarja – S’ka problem.

Gjyqtari – Do të puth prapë.

Qytetarja – C’do bësh mo?

Gjyqtari – Do të puth.

Qytetarja – Do më puthësh?

Gjyqtari – Po, ndaj largohu. /Albeu.com/
Shtuar më 29/10/2016, ora 17:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori