INTERVISTA/ A e di Rama rezultatin e zgjedhjeve? Fuga: Vetëm Zoti e di
Profesor Artan Fuga shprehet skeptik për votimin elektronik si mënyrën më të mirë për të ruajtur zgjedhjet nga manipulimi. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, profesor Fuga shprehet se elektronika në votim nuk jep garancitë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme, për shkak se nuk eliminon presionin për votën, votimin disa herë apo dhe hakerimin e votës.

Për filozofin Fuga, besueshmërinë e zgjedhjeve do ta jepnin komisionet jo partiake, por ato me qytetarë të profesioneve të ndryshme, si gazetarë, pedagogë apo avokatë. Sipas tij, te vota e qytetarit kanë ndërhyrë gjithmonë komisionerët partiakë. Për profesor Fugën, defekti më i madh i zgjedhjeve në Shqipëri janë militanti, biznesmeni i partisë dhe i forti i lagjes.

“Pse duhet qytetari t’u besojë rezultateve të zgjedhjeve kur sheh se ata që votohen, ata edhe matin rezultatet e votimit. Vetë voton, vetë numëron.

Vetë kandidon. Njëfarë monizmi i moderuar fare pak”, shprehet profesor Fuga në intervistën e tij. Ai i kërkon opozitës bërjen e një autokritike për mungesën e dixhitalizimit të zgjedhjeve në dhjetë vitet e fundit së bashku me Partinë Socialiste.

Profesor Fuga kundërshton deklaratën e Kryeministrit Rama se opozita kërkon alibi për humbjen e zgjedhjeve, duke thënë se kjo tregon se zgjedhjet mund të mos jenë të ndershme.

“Vetëm Zoti e di! Pra, të thuash se e di që opozita do t’i humbasë zgjedhjet prandaj krijon alibira, nuk i shërben asaj që të besohet se zgjedhjet do të jenë të ndershme! Kush mund ta dijë rezultatin e zgjedhjeve, përpara sesa të dalin ato?!”, shprehet profesor Fuga.

Profesor, ju thoni se votat manipulohen nga komisionerët e partive, por dhe votimi dhe numërimi elektronik nuk është zgjidhje, pse?

Sepse, sipas mendimit tim, edhe votimi elektronik nuk e zgjidh punën e listave elektorale. Votimi elektronik ka të bëjë me aktin përfundimtar, atëherë kur zgjedhësi shtyp butonin në kompjuterin e qendrës së votimit, por se cilët regjistrohen atje, pra kush vendoset në listat elektorale, kompjuteri nuk e zgjidh dot këtë.

Në vend të dikujt mund të vijë dikush tjetër për të votuar, ose i njëjti njeri të votojë disa herë.

Pse autenticitetin e letërnjoftimeve kompjuteri i qendrës së votimit do ta zgjidhë?! Jo, nuk e zgjidh dot fatkeqësisht. Pra, nuk zgjidh dot se kush voton, në vend të kujt, sa herë voton e kështu me radhë. Po kështu, nuk zgjidh as çështjen e presioneve në qendrat e votimit karshi zgjedhësve.

Për të mos thënë se ka vend për masa mbrojtëse shumë të sofistikuara për të ruajtur të dhënat për procesin e votimit, sepse hakerat mund të bëjnë kërdinë pa asnjë problem. Pra, teknika nuk zgjidh dot çështjen, por ajo e lehtëson gjithmonë atë. Gjithsesi nuk duhet menduar se votimi elektronik pa njerëzit, siguron votën dhe saktësinë e rezultatit.

Që të jem i saktë, unë nuk kam prova personalisht nëse manipulohen ose jo votat nga komisionet e votimit. Këtë e kanë thënë partitë humbëse gjithmonë, pavarësisht se cila prej tyre ka qenë, pavarësisht ngjyrave politike. Këtë e kanë deklaruar partitë e vogla që janë eliminuar.

Se të them që kanë manipuluar votat, duhet të paraqitem në prokurori për të dhënë provat. Unë si qytetar them se komisionet e votimit në qendrat elektorale nuk kanë besueshmëri te partitë politike, nisur nga deklaratat e tyre në këto tri dekada. Qytetari nuk i beson rezultatit të votimeve dhe ka pak besueshmëri në procesin elektoral. Këtë di unë dhe kaq mjafton.

Sipas jush, roboti elektronik është i manipulueshëm, mendoni se ka bërë gabim opozita që kërkon votim elektronik?

Jo, opozita nuk ka bërë gabim. Ajo kërkon maksimumin që mund të bëhet dhe mirë bën. Por, mendoj se sado që ta kërkojë, kjo nuk do të realizohet këtë herë. Mendoj se opozita do të kishte bërë mirë që, veç kërkesave shumë legjitime për një proces elektoral të ndershëm, të bënte edhe autokritikë se përse në këto dhjetë vjet, ajo edhe Partia Socialiste nuk kanë bërë hapa për numërizimin dhe dixhitalizimin e procesit të votimit.

Duke ditur se nuk do të realizohet kërkesa e saj legjitime, opozita duhet të paraqesë alternativa që sigurojnë një proces të ndershëm dhe një rezultat që të jetë i besueshëm për nga saktësia e numërimit të votës qytetare. Se të shohim ambasadorët e vendeve mike të marrin pjesë në numërimin e votave, që as vetë kandidati në një zonë të mos rezultojë se ka votuar për veten e tij, që partitë e vogla të regjen në ujë etj., nuk më duket normale.

Opozita, sipas meje, i ka të gjitha mundësitë që të kërkojë të ndërtohen komisione elektorale të paanshme, të besueshme, dhe ajo e ka të gjithë të drejtën me vete të kërkojë reformën tërësore të ligjit elektoral. Me këtë ligj elektoral, asaj ka shumë shanse që t’i vidhet vota.

Kryeministri Rama e quan alibi për humbjen kërkesën e opozitës për votimin elektronik, ju si e gjykoni?

Unë nuk besoj se e di njeri rezultatin e votimit që përpara sesa ai të dalë. Vetëm Zoti e di! Pra, të thuash se e di që opozita do t’i humbasë zgjedhjet, prandaj krijon alibia, nuk i shërben asaj që të besohet se zgjedhjet do të jenë të ndershme!

Kush mund ta dijë përpara rezultatin e zgjedhjeve përpara sesa të dalin ato?! Aq më pak, gjithkush që mund ta ketë pësuar nga ky kompozim i komisioneve të votimit ka më pak arsye se çdo njeri tjetër që të thotë se mënyra si organizohet te ne procesi i votimit është e besueshme.

Reforma e kodit elektoral do të ishte një reformë për të cilën qeveria duhej të kishte punuar këta tre vjet, po të donte. Por të pranosh se në Shqipëri nuk ka kushte për votimin elektronik, do të thotë se pranon të vërtetën. Shqipëria e sotme është më shumë sot vend i qiririt dhe i pishës, i mungesës së ujit, i mungesës së ngrohjeve.

Ne kërkojmë votim elektronik! Qeveria kështu pranon një fakt real dhe të vërtetë, në botën e sotme të objekteve të kontektuara, pra të inteligjencës artificiale dhe të dixhitalizimit, Shqipëria është vend i pishës dhe i kandilit. Shqipëria nuk ka hyrë në rrugën e dixhitalizimit të shërbimeve dhe për këtë mbajnë përgjegjësi qeveritë e sotme dhe të djeshme.

Qeveria duhet të pranojë se nuk ka bërë asgjë për futjen e vendit në rrugën e dixhitalizimit të shërbimeve për qytetarin. Sepse duhen lidhje kabllore për transmetimin e të dhënave, duhen servera të besueshëm, duhet internet mobil dhe rrjete të mbrojtura të dhënash, duhen logjicielë, e çfarë nuk duhet, mal më mal e kodër më kodër. Shqipëria e sotme nuk është larg asaj të vitit 1946, kur votohej me kokrra në kuti. Është e njëjta infrastrukturë para-virtuale dhe para-numerike. Ne jemi ende shoqëri e tullës dhe e tjegullës.

A ka një zgjidhje për të shmangur manipulimin e votave në zgjedhje, duke pasur parasysh që tre maskarenjtë që ju thoni (militanti, biznesmeni i partisë dhe i forti i lagjes), nuk mund të shmangen nga partitë?

Komisionet elektorale nuk duhet të jenë shumëpartiake, ose bipartiake, bipartizane. Tjetër janë vëzhguesit dhe tjetër anëtarët e komisioneve të votimit. Komisionet e votimit janë pjesët e shtetit. Por te ne, ende shteti nuk kuptohet si i pavarur nga partitë, por si arenë e ekuilibrit dhe e tensioneve midis partive politike. Këtu edhe ministritë ndahen sipas partive, edhe drejtoritë e përgjithshme. Imagjinoni që me atë gjoja reformën elektorale, paçavure, si ligji për arsimin e lartë, tani në territor nuk ka as komuna. Kush do t’i regjistrojë zgjedhësit në mënyrë të besueshme, kush do të verifikojë zgjedhësit në mënyrë të besueshme? Të gjitha instancat e shtetit dalin sipas ndarjeve të hapura ose të fshehura politike. Ne kemi shtet multipartiak dhe jo shtet asnjanës. Kemi shtet të dy ose treanshëm, por jo asnjanës. Pse duhet qytetari t’u besojë rezultateve të zgjedhjeve kur sheh se ata që votohen, ata edhe matin rezultatet e votimit. Vetë voton, vetë numëron. Vetë kandidon.

Njëfarë monizmi i moderuar fare pak. Vendin e militantit, të fortit dhe biznesmenit të partisë duhet ta zënë tri kategori të tjera, qytetari i zgjedhur me rastësi, punonjësi i drejtësisë i mobilizuar për këtë rast dhe përfaqësuesi i opinionit publik (gazetarë, pedagogë, avokatë etj).

Pra, kjo është filozofia, pastaj detajet zgjidhen. Ata nuk duhet të jenë nga zona ku banojnë vetë, duhet të plotësojnë disa kritere, duhen trajnuar, duhen paguar shumë mirë dhe duhen vendosur përballë penaliteteve të ligjit, duhet t’u caktohet me short një ose dy ditë përpara se ku do të jenë anëtarë komisionesh. Dhe mbi të gjitha, regjistruesit e votuesve dhe anëtarët e komisioneve të votimit duhet të jenë krejtësisht të ndarë.

Si e shikoni kërkesën e opozitës për votimin elektronik 4 muaj para zgjedhjeve, ndërkohë që prej një kohe të gjatë ajo nuk ka dhënë propozimet e saj në Komisionin e Reformës?

Nuk shikoj asnjë përgjegjësi tek opozita. Infrastruktura e votimit është çështje e shtetit.
Shtuar më 24/01/2017, ora 13:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori