Institucionet kosovare nuk komentojnë deklaratat e Kermabon
Albeu.com
Institucionet e Kosovës preferojnë të rrinë larg komenteve në deklaratat e shefit të EULEX-it, Iv de Kermabon se operacionalizimi i plotë i këtij misioni mund të vonojë.Përkundër pritjeve se misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit do t'i marrë përgjegjësitë e veta nga UNMIK-u në fund të këtij viti, De Kermabon ka thënë të hënën se ky funksionalizim mund të shtyhet deri në fillim të pranverës së vitit të ardhshëm. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti ka thënë se i takon EULEX-it dhe UNMIK-ut të përkujdesen për aranzhimet e tyre praktike në terren, ndërkohë që është shprehur në favor të një vendosjeje sa më të shpejtë të këtij misioni
Zenun Pajaziti, ministër i MPB-së, deklaroi: "Çështjet e aranzhimit ndërmjet UNMIK-ut dhe EULEX-it, janë çështje të tyre, ajo që ne na intereson është që të ketë një vendosje sa më të shpejtë të misionit EULEX në terren. ashtu siç na është raportuar neve, ka një progres të madh kohëve të fundit".
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u shpreh: "Unë nuk kisha dashur që t'i komentojë detyrat dhe përgjegjësitë e EULEX-it,. ata i dinë detyrat dhe përgjegjësitë që i kanë edhe me kushtetutën e Kosovës, por ato janë përgjegjësitë e tyre. Ne jemi të interesuar që të shohim sesi funksionon sundimi i ligjit në pjesën që qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës”.
Ndërsa, Arsim Janova, zv/ministër i Drejtësisë, tha se: "EULEX ka sfidat e veta gjatë vendosjes. Ne këto ditë kemi edhe probleme rreth hapësirave ku do të vendosen prokurorët dhe gjyqtarët. Kemi objekte të vjetra dhe hapësira të pamjaftueshme. Por zvarritjet po bëhen edhe në aspektin politik".
Kjo nuk është hera e parë që EULEX dështon në planet e veta për t'u shtrirë në tërë Kosovën. Nëse çdo gjë do të kishte ecur si duhet, EULEX do të duhej të ishte funksional në Kosovë që nga 15 qershori dita kur ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Aktualisht në Kosovë janë vendosur mbi 500 nga 2000 pjesëtarët e EULEX-it të cilët do t'i mbikqyrin aktivitetet e institucioneve të Kosovës në çështje të policisë, gjyqësisë dhe doganave. (alsat)
Shtuar më 14/10/2008, ora 22:09
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori