Ndiqni pamjet LIVE, mijëra studentë rrethojnë Kuvendin
Infrastruktura e rrënuar e Durrësit që po largon turistët
Pëlqej
Hotelet dhe tur-operatorët raportojnë për një rënie të rezervimeve për këtë sezon turistik veror në Durrës, me përjashtim të atyre që operojnë me kontrata.

Administratorët tregojnë se arsyet janë nga më të ndryshmet, por kryesisht lidhen me motin, një luhatje të lehtë të çmimeve me tendencë në rritje dhe infrastrukturën e dobët.

Vetë turistët që kanë mbyllur pushimet në Shqipëri për këtë vit vlerësojnë pozitivisht hotelet, por negativisht pjesën jashtë tyre.

Maqedonia, nga ana tjetër, ia ka dalë që të bëhet vendi me paketën më të shitur të tureve njëditore te turistët e huaj që vijnë në Shqipëri.

Edhe këtë vit, vendi ynë po përpëlitet mes interesit të turistëve dhe ofertës së vakët të paketave plus, që shkojnë përtej një shezlongu.

Mund të jesh fare mirë duke ecur në rrugë, i shkujdesur dhe i relaksuar sepse në fund të fundit je me pushime por kujdes, mos e humb vigjilencën, pasi mund ta gjesh veten në fund të një pusete.

Ky ishte një nga episodet që na tregoi administratori i një hoteli në Malin e Robit në Durrës, ku një turisti të huaj iu desh ndihma e disa personave aty rrotull për të dalë nga puseta ku përfundoi, e lënë hapur për shkak të investimeve përgjysmë.

Sipas hoteleve në këtë zonë, investimi në rrugën nga Mali i Robit në Golem është nisur, por është lënë i pazbatuar ndërkohë që pusetat e ujërave të bardha janë lënë pa kapak, duke u kthyer në rrezik potencial për këdo, jo vetëm për turistët.

Infrastruktura vijon të mbetet pika më negative në gjithë renditjen që bëjnë tur-operatorët, administratorët apo menaxherët e hoteleve në zonën e Golemit.

Një vit më parë, Durrësi u konsiderua si “Hirushja” e sezonit turistik veror me prurje të larta turistësh nga Polonia, Çekia, Ukraina të cilët, përmes agjencive të tyre, kishin rezervuar paketa “all inclusive” (të gjitha të paguara) dhe “bed and breakfast” (shtrat dhe mëngjes), por sezoni turistik veror 2018 nuk duket të ketë shkëlqimin e atij të një viti më parë dhe arsyet janë nga më të ndryshmet.

Sipas tur-operatorëve, sot, përveç hoteleve që punojnë me kontrata me turistë të huaj kryesisht çekë, polakë, ukrainas, finlandezë, norvegjezë, pjesa tjetër shfaqen dobët lidhur me rezervimet e bëra deri në korrik.

“Një pjesë e mirë, për shkak të motit por edhe gjithë atyre problemeve që kemi thënë herë pas here, nuk kanë pasur rezervime. Krahasuar me vitin e kaluar, situata është më keq.

Nuk e dimë sesi do të jetë gushti, por qershori dhe korriku paraqiten dobët. Shumica e hoteleve kanë punuar një ditë në javë, që i bie fundjavave kryesisht”, – shprehen tur-operatorët në lidhje me ecurinë e rezervimeve.

Hotelet: Ka më pak rezervime, çmimet dhe si na ndikon kursi

Hotelet në zonën e Golemit në Durrës, por jo vetëm, shprehen se viti 2018 nuk duket të jetë shumë pozitiv për biznesin e tyre.
“Këtë vit, për shkak të motit, ku qershori ishte kryesisht me shi nuk ka pasur shumë rezervime.

Njerëzit janë të prirë të vijnë në plazh në momentin që koha është e mirë. Ndaj një pjesë të kësaj situate të vakët ia faturojmë kohës.

Por edhe çmimet, me sa kemi parë, janë rritur këtë vit nga 5-10% në një pjesë të mirë, çka mendoj që ka shërbyer si faktor frenues. Sigurisht që kur paguhet më shumë, kërkohet që gjithçka të përmbushë standardet, por hotelet këtë po e bëjnë në mënyrë graduale.

Ndikim tjetër ka pasur edhe ky efekti i kursit të këmbimit lidhur me euron, pasi ata që vijnë të pushojnë, prurjet i kanë në këtë monedhë, por shpenzimet i kanë në lekë dhe, deri diku, i bie që kanë pushime më të shtrenjta”, nënvizon Endriti administrator i hotelit “Ylli i Detit” në Golem.

Të njëjtën situatë raporton edhe administratori i “Klajdi Resort” te Mali i Robit. Ai nënvizon se ky vit duket të jetë disi më pak optimist se 2017-a, pasi rezervimet kanë qenë të ulëta. “Ne kemi operuar me agjenci dhe kemi kryesisht të huaj, por rezervimet sigurisht në raport me një vit më parë janë më të pakta. Moti ka pasur ndikimin e vet, por duket se përveç tij ka edhe një rënie të konsumit.

Pra edhe ata që pushojnë parapëlqejnë që të shpenzojnë më pak. Përgjithësisht, çmimet nuk kanë ndryshuar. Gushtin e presim më mirë, kurse për korrikun ende s’mund të bëjmë një bilanc por, më mirë se vjet, nuk jemi. Shtetas nga Kosova ka më pak sërish, që dikur kanë qenë pjesa dominuese. Turistët duan kushte, ndërkohë që infrastruktura që ne kemi është problematike. Janë bërë punime dhe janë lënë përgjysmë.

Mezi kemi nxjerrë nga puseta një turist të huaj që ra brenda. Janë pusetat e ujërave të bardha që janë lënë pa kapakë, ndërkohë që rruga është e pashtruar, pasi është lënë përgjysmë”, shprehet Klajdi administrator i “Klajdi Resort”.

Infrastruktura problematike

Turistët duan kushte, ndërkohë që infrastruktura që ne kemi është problematike. Janë bërë punime dhe janë lënë përgjysmë. Mezi kemi nxjerrë nga puseta një turist të huaj që ra brenda. Janë pusetat e ujërave të bardha, që janë lënë pa kapakë, ndërkohë që rruga është e pashtruar, pasi është lënë përgjysmë

Por duket se në zbehjen që është shkaktuar kryesisht nga moti ka edhe nga ata që vlerësojnë se bilanci i tyre është më i mirë se ai i një viti më parë. Administratori i “Hotel Palma” në Durrës tha për “Monitor” se këtë vit ka punuar me agjenci dhe me kontratë paraprake.

Viti i kaluar ishte një kontratë njëvjeçare, që këtë vit është përkthyer në një kontratë 3-vjeçare sepse polakët kanë mbetur të kënaqur. “Ne jemi mirë deri tani, sepse kemi punuar me agjenci dhe me kontrata.

Kemi pasur rezervime nga qershori dhe i kemi të parashikuara deri në shtator. Përgjithësisht kemi ofruar paketë ‘all inclusive’ dhe deri tani, turistët kanë qenë të kënaqur.

Nuk kemi pasur probleme me sigurimin e kësaj pakete. E vetmja gjë nga e cila jemi ndikuar ka të bëjë me kursin. Gati 10% na ikin me ndikimin që jep kursi i këmbimit”, shprehet administratori i “Hotel Palma”.

Nisin përshtypjet e para të turistëve, çfarë u ka pëlqyer dhe çfarë i ka zhgënjyer

E mira e rezervimeve online kryesisht në Booking por, jo vetëm, është që mund të ndihmohesh edhe nga të tjerët me përshtypjet për hotelin ku ke qëndruar.

Tashmë kur ka kaluar gati gjysma e sezonit veror, kanë filluar edhe përshtypjet që lihen në faqet e hoteleve shqiptare. Disa janë entuziastë dhe u ka pëlqyer hoteli dhe Shqipëria, të tjerë janë të zhgënjyer.

Boris nga Zvicra, thotë: “Mungonte kafeja dhe mëngjesi, duhet të qëndroja tre net, por qëndrova vetëm një. Kishte fije floku të gjatë te dushi dhe ta mendosh që unë jam pa flokë”.

Ellen L. ka bërë një koment të gjatë mbi përshtypjet e saj pas një qëndrimi në Golem. “Jemi një familje me dy fëmijë, 7 dhe 4 veç, që kemi udhëtuar nga Oslo drejt Shqipërisë.

Së pari, Shqipëria është e re me turizmin ndaj përgatituni dhe mos prisni shumë. Nuk ka shumë çfarë të shihni jashtë hotelit. S’ka restorante (na u desh të hanim në hotel për një javë rresht), ka pak infrastrukturë dhe zona është e ndotur. Të paktën në zonën përreth hotelit.

Ka më shumë për të parë nëse shkoni në Durrës, por duhet të merrni taksi dhe është 30 minuta larg dhe imagjinoni që ne, me dy fëmijë, nuk e shihnim si shumë komode.

Nuk prisja që Bregdeti i Durrësit të ishte kaq shumë i pazhvilluar dhe fjala Rivierë është jashtë këtij konteksti. Të mos ju shkojë për asnjë moment në mend se ka lidhje me Rivierën franceze. Por, hoteli është i ri dhe shumë i bukur.

Për ata që janë të interesuar për sigurinë nuk ka alarm zjarri në dhomë. Muzika që luhet gjatë gjithë ditës është e lartë, nuk ka menu të veçantë për fëmijë dhe as karrige për ta”.

Leffeilanen, nga Suedia, jep përshtypjet e tij për hotelin ku ka qëndruar të cilin e vlerëson pozitivisht, si për sa i përket shërbimit edhe lehtësive që ofrohen. Plazhi cilësohet i mirë, me rërë të pastër dhe det me shumë pak dallgë. /Monitor/

Shtuar më 28/07/2018, ora 09:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori