Industria e veshjeve, Haxhinasto apel për më shumë veshje “Made in Albania”
Bashkëpunimi për të pasur më shumë prodhime “Made in Albania”. Ky ka qenë apeli i ministrit të Ekonomisë Edmond Haxhinasto ndaj fasonëve, në takimin rajonal në Industrinë e Veshjeve.


“Qëndrueshmëria e këtij sektori, rritja e punësimit dhe disa sfida të tjera do të na bëjnë që të punojmë së bashku por mbi të gjitha të kemi objektiva të përbashkëta. Duhet të kemi si objektiv të përbashkët që të prodhohen më shumë “Made in Albania. Gjithashtu me rëndësi është edhe certifikimi i cilësisë dhe standartizimi i prodhimeve tuaja” tha Haxhinasto.


Gjithashtu kreu i METE-s kërkoi nga fasonët edhe kualifikimin e punonjësve për të pasur prodhime me cilësi të lartë.


“Me rëndësi parësore është kualifikimi i njerëzve për këtë industri. Mendoj se edhe vetë operatorët duhet të investojnë në rritjen e aftësisë profesionale të punonjësve. Duhet një bashkëpunim me ministrinë e arsimit në mënyrë që kualifikimi të jetë më madh në mënyrë që edhe prodhimi të jetë i një cilësie të lartë” shtoi Haxhinasto.


Takimi Rajonal dhe Ndërkombëtar B2B në Industrinë e Veshje është organizuar nga Shoqata e Fasonistëve. /albeu.com/
Shtuar më 08/11/2012, ora 10:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori