Incident në Komunën e Shtërpcës
Albeu.com
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të hënën në mëngjes disa qytetarë serbë kanë hyrë me forcë në zyrën e Gjeodezisë dhe Kadastrës e cila është e vendosur në ndërtesën e Komunës së Shtërpcës.Menjëherë pas këtij akti, punonjësit shqiptarë kanë njoftuar organet policore. Sipas tyre, arsyeja e hyrjes me dhunë e serbëve në godinën e Komunës së Shtërpcës ishte rikthimi me forcë i një qytetari serb në vendin e tij të punës. Policia ka marrë në pyetje dy persona, ndërsa ka filluar hetimet për rastin.

Momentalisht, zyra është mbyllur deri në një vendim të Gjykatës Komunale të Ferizajt për rihapjen e saj. Sipas policisë së Kosovës, situata në qytetin e Shtërpcës paraqitet të jetë e qetë. Në këtë qytet periferik të Kosovës jetojnë qytetarë shqiptarë dhe serbë.

Që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në këtë rajon situata mes dy etniteteve është konsideruar të jetë e qetë.

Sulmohen policët

Në një incident tjetër, persona tani për tani të paidentifikuar kanë sulmuar të dielën në mbrëmje, në fshatin Zupçe të Mitrovicës, një patrullë të policisë së trafikut, që të gjithë të përkatësisë shqiptare.

Zyrtarë të policisë thonë se policët ishin në përcjellje të një autobusi që barte fëmijë deri në fshatin Osojan të komunës së Istogut. Ata thonë se policëve të sulmuar u kanë ardhur në ndihmë kolegët e tyre nga Zubin Potoku, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

Policët janë sulmuar fizikisht dhe pjesëtarët e SHPK-së janë detyruar të përdorin gazin lotsjellës për të shpërndarë sulmuesit. (BBC)
Shtuar më 01/09/2008, ora 23:10
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori