Imami akuza oficerëve: Më spiunuan tek Rama për 21 janarin
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami akuzon një grup ushtarakësh që kanë dhënë informacione të pasakta tek Partia Socialiste. Në një intervistë për Channel One, ai e cilëson 21 janarin si një ngjarje shumë e rëndë.


“Ka qenë një grup që kanë dizinformuar. Thelbi është tërësisht politik, është lidhur me qëndrimet e mia më 21 janar. 21 janari është një ngjarje shumë e rëndë, nga më të shëmtuarat e politikës së nxitjes së konfliktit. Ajo është më e rëndë se 14 shtatori, ku dy ditë më parë ishte vrarë një politikan i shquar. 14 shtatori ndodhi në kontekst të këtij zemërimi. Ndërkohë që 21 janari ishte krejtësisht jashtë kontekstit dhe kjo politikë është shumë e vjetër se është në një kontekst të ri. Si mundet që në 2011-n të ndodhin të tilla ngjarje? Ishte një sulm personal, pa fakte, pa bazë. Nuk flas me emra”, është shprehur ai.

Për sa i përket SHQUP-it, Imami i qëndron mendimit se ajo ndërtesë i është dhënë një partie politike legjitime dhe se vendimi nuk mund të kthehet mbrapsht. Sipas tij, Shefi i Shtabit ka qenë i papërgatitur psikologjikisht për të firmosur atë vendim, ndaj edhe përgjigja e tij ishte negative.

“Unë mora një mendim që ishte negativisht, por ruajta mendimin tim. Mbi bazën e këtij vendimi i bëra propozimin kreut të shtetit, të cilit nuk ia fsheha mendimin e Shtabit. Dhe në këtë moment vendos kreu i shtetit,” ka pohuar Imami.

Imami është shprehur edhe se gjykatat janë të korruptuara teksa sjell raste të Ministrisë së Mbrojtjes dhe thotë se: “Gjeta dy raste që kishin bërë një dëm të madh. Ishte një sasi dietash rreth 100 mijë euro, një grup ushtarak dhe çështje karburantesh. Të dyja grupet i dërgova në prokurori, një pjesë e hoqa nga puna. Gjykatat i sollën prapë në punë”. /albeu.com/
Shtuar më 03/09/2013, ora 11:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori