Illyria, ne New York numer rekord me 280 faqe - me rastin e 28 Nentorit
Pëlqej
Albeu.com
Gazeta shqiptaro-amerikane Illyria në New York, botoi sot, të premten më 28 nëntor, një numër special me rastin e Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.Me 280 faqe, ky numër shënon një rekord të ri si më voluminozi në historinë e shtypit shqiptar në mbarë botën e në të gjitha kohërat. Eshtë një sukses i gjithë komunitetit, tha me këtë rast botuesi i gazetës Vehbi Bajrami duke vlerësuar faktin se shumë aktivistë, biznesmenë e organizata të komunitetit janë afruar për të uruar e dhënë mesazhet e tyre festuese nëpërmjet faqeve të gazetës. Bashkëpunëtorët e shumtë të gazetës nga Shqipëria, Kosova e të gjitha trojet shqiptare si dhe nga diaspora, kryesisht ajo në SHBA, kanë kontribuar me shkrime të shumta e të larmishme.

Besnik ndaj traditës së tij të përvitshme, ky numër special i gazetës është i pasur në materiale historike e arkivore, disa prej të cilave botohen për herë të parë.

Shkrimet historike kanë tema nga të gjitha trojet tona kombëtare. Ndër to numërohen Ismail Qemali dhe Vatra, Fishta dhe Kongresi i Manastirit, Konica dhe Kongresi i Manastirit, Abetaret e Parashqevi Qiriazit, Europa e shpalli Skënderbeun hero përpara shqiptarëve etj.

Ndër figurat e intervistuara me këtë rast numërohen: Nedim Vlora, nipi i Ismail Qemalit, William Ryerson, ish-ambasadori amerikan në Shqipëri (që tregon takimet e tij private me Ramiz Alinë, Gramoz Pashkon e përshtypjet për Sali Berishën), Avni Spahiu, i ngarkuari me punë i Kosovës në Washington, publicistin shqiptar Fahri Musliu që ende jeton e punon në Beograd, me skulptorin e njohur Fatmir T.H. Gjakova, etj.

Shkrime interesante si ai për historinë e një shqiptari në ushtrinë amerikane, apo shkrime me vlera historike, si ai që kujton figurat e shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan në vite etj., e bëjnë këtë numër special interesant dhe shumë të lexueshëm.

Illyria nuk është vetëm ditari i komunitetit por edhe memoria e tij, tha botuesi Bajrami, që është edhe autori i librit më të rëndësishëm të historisë së diasporës këtu në SHBA, Shqiptarët e Amerikës.

Numri special i Ditës së Flamurit, si çdo numër tjetër i gazetës Illyria, mund të blehet në stenda gazetash, e pika shitjeje në të gjithë New York City-n, ndërkohë që shkon nëpërmjet abonimeve në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kudo që jetojnë shqiptarë por edhe më tej në atdhe
e në botë.

Gazeta Illyria filloi të botohej në qershor 1991. Ajo botohet dy herë, në javë, në shqip dhe anglisht duke nxjerrë në treg mbi 1800 numra që nga themelimi.

Nga Ruben Avxhiu
Shtuar më 28/11/2008, ora 21:05
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori