Meta: LSI, forca që i bashkon të gjithë të rinjtë
Rreth 300 të rinj e të reja i janë shtuar radhëve të Lëvizjes Rinore për Integrim në një aktivitet të organizuar nga LRI e Njësisë nr. 2 në Tiranë.


I pranishëm ka qenë edhe Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i LSI-së për Tiranën, Shezai Rrokaj, kryetari i LSI për Njësinë nr. 2, Elez Gjoza, si dhe kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Endrit Braimllari. Lideri i LSI-së në fjalën e tij përshëndetëse ka deklaruar se LSI është një forcë politike e cila i bashkon të gjithë shqiptarët, sidomos të rinjtë dhe të rejat e vendit. Sipas tij LSI sjell shpresë, mesazhe pozitive, mesazhin e një ndryshimi konstruktiv, i cili do ta afrojë më shpejt Shqipërinë me Evropë.

“Është kënaqësi të shoh kaq të reja dhe të rinj së bashku, njëkohësisht kaq të bashkuar dhe kaq optimist. LSI është një forcë që i bashkon shqiptarët dhe mbi të gjitha është një forcë që i bashkon të rinjtë. Është një forcë që i bashkon të rinjtë për ndryshim, për një perspektivë më të mirë, dhe për të krijuar mundësi të reja për të gjithë vendin dhe në radhë të parë për veten e tyre për më të rinjtë. Radhët e LSI dhe LRI shtohen në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse LSI sjell shpresë, mesazhe pozitive, mesazhin e një ndryshimi konstruktiv, i cili do ta afrojë më shpejt Shqipërinë me Evropën dhe i cili do të krijojë më shumë mundësi për të gjithë të rinjtë për një edukim më të mirë dhe në veçanti për një punësim të qëndrueshëm dhe dinjitoz në vendin tonë”, tha ndër të tjera Meta.

Pas fjalës së tij z. Meta shpërndau për një pjesë të anëtarëve të rinj edhe dokumentet e anëtarësimit. Ndërkohë që në fjalën e tij para të rinjve kryetari i LSI-së për Tiranën, Shezai Rrokaj, deklaroi se LSI i mbështet të rinjtë dhe mbështetet tek ritmi i saj. /albeu.com/
Shtuar më 06/04/2013, ora 12:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori