Ilir Meta ka ofruar deklaratë kundër UÇK-së?
Albeu.com
PPD-ja shpalos momente të reja për luftën e vitin 2001. Sipas PPD-së, ish-kryeministri shqiptar Ilir Meta kërkonte distancim nga veprimet e UÇK-së, të cilësuara si të dëmshme për çështjen kombëtare.Nënkryetarët e Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), Ismet Ramadani dhe Riza Shabani thonë se ish-kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, në maj të 2001, u ka ofruar një deklaratë të nënshkruar me të cilën distancohet nga veprimet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Sipas tyre, oferta u ishte bërë në Tiranë, në kabinetin e kryeministrit Meta. Kjo deklaratë i është ofruar edhe ish-kryetarit të PPD-së Ymer Ymerit.
“Ilir Meta na ofroi të nënshkruanim një deklaratë për t’u distancuar nga veprimet e UÇK-së, të cilësuara si të dëmshme për çështjen kombëtare. Përkundër tentimeve, ne refuzuam”, thotë Riza Shabani.
Shabani dhe Ramadani thonë se e njëjta deklaratë i është ofruar për nënshkrim edhe udhëheqësisë së Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH).
Kryetari i PDSH-së Arbër Xhaferi demanton se ka pasur ndonjë ofertë të këtillë prej Metës. “Është fakt se ka pasur prononcime të gjithanshme kundër luftës edhe prej faktorit ndërkombëtar edhe prej faktorit shqiptar. Mirëpo, nuk kemi pasur ofertë për të nënshkruar ndonjë deklaratë të atillë”, thotë për “Lajm”, Xhaferi.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, i cili në vitin 2001 ishte Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së, thotë se nuk posedon informata për ekzistimin e një deklarate të atillë. “Nuk kam dëgjuar për ekzistimin e një deklarate të këtillë”, thotë Ahmeti.
Në PPD janë kategorikë se një deklaratë e këtillë u ishte ofruar. “Pasi në kabinetin e kryeministrit dështuan tentimet për të na bindur ta nënshkruajmë këtë marrëveshje, ata vazhduan në darkë të cilën në të njëjtën mbrëmje Meta e shtroi në hotel ‘Rogner’. Tentimeve për të na bindur në favor të deklaratës iu bashkëngjit edhe Veton Surroi”, thotë Riza Shabani.
Në PPD thonë se gjatë kohë e kanë mbajtur sekret, por tani kanë vendosur ta kumtojnë për të zbardhur kontributin e PPD-së për luftën e UÇK-së. “Ka shumë tentime që të mohohet ose të përvetësohet prej tjetërkujt kontributi i PPD-së gjatë luftës së vitit 2001. PPD ishte bartëse e luftës në taborin politik”, thotë deputeti Ramadani.


Meta: Fjalë të kota parazgjedhore
Ish-kryeministri i Shqipërisë Ilir Meta mohon t’u ketë ofruar ndonjë deklaratë të shkruar subjekteve politike shqiptare në Maqedoni që të distancoheshin nga veprimet e UÇK-së. Këtë prononcim të përfaqësuesve të PPD-së ai e ndërlidh me fushatën parazgjedhore në Maqedoni. “Sa di unë ata tani janë në fushatë parazgjedhore. Nuk e kuptoni se janë muhabete kote këto”, shprehet Meta.
nga ISEN SALIU , Lajm
Shtuar më 21/03/2006, ora 09:02
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori