ILDKP gjobit 6 zyrtarë, fshehën pasurinë
Pëlqej
Për shkak të mosdeklarimit të pasurisë, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit, ka gjobitur 6 zyrtarë të niveleve të ndryshme, mes tyre dhe ish-kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, Shtjefën Lleshi.

Duke i'u referuar një njoftimi në faqen zyrtare të ILDKP, citohet se Inspektoriati ka konstatuar gjatë këtyre ditëve shkelje të afateve të dorëzimit të deklaratës së interesave private, nga 6 zyrtarë të niveleve të ndryshme, përkatësisht:
- Shtjefën Lleshi, ish – Kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, mosdorëzim të “Deklaratës pas Largimit nga Funksioni” për vitin 2014.
- Gëzim Ukperaj, ish–Inspektor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Kukës, mosdorëzim të “Deklaratës pas Largimit nga Funksioni” për vitin 2014.
- Bernard Capa, ish–Inspektor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Dibër, mosdorëzim të “Deklaratës pas Largimit nga Funksioni” për vitin 2014.
- Grespin Lilaj, ish–Inspektor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Durrës, mosdorëzim të “Deklaratës pas Largimit nga Funksioni” për vitin 2014.
- Albano Çepele, ish–Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, mosdorëzim të “Deklaratës pas Largimit nga Funksioni” për vitin 2014.
- Taulant Kurti, ish–Inspektor Hetimi pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, mosdorëzim të “Deklaratës pas Largimit nga Funksioni” për vitin 2014.

Inspektori i Përgjithshëm, përmes vendimeve të posaçme, vendosi masën administrative “gjobë” për subjektet deklarues që rezultuan të mos kenë dorëzuar deklaratën e interesave private.

Në zbatim të nenit 40, pika 1 të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, sipas të cilit: “Për mosdeklarim periodik apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 50.000 lekë deri në 100.000 lekë. /albeu.com/
Shtuar më 11/09/2014, ora 14:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori