Ikën dhe kandidati i dytë i BD-së, Patozi thotë se emrat e tij po i marrin peng
Gjatë 24 orëve të fundit Bindjes Demokratike i janë larguar dy kandidatë për kryetar bashkie. Pas Salvador Kaçajt, sëfundmi është larguar edhe Bledar Sinella që ishte dërguar në KQZ si kandidat për Kavajën.

Në një letër publike, Sinella shpjegon se nuk ka firmosur për të qenë kandidat i BD-së për Kavajën dhe se thjesht ishte kontaktuar për të marrë një mendim nëse donte të ishte.

Ndërkohë ka reaguar edhe kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, i cili shprehet se kandidatët po kërcënohen dhe merren peng nga krimi.

"Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t’i sulmohen, përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët e deri tek kandidatët e saj për zgjedhjet e 30 qershorit", tha Patozi.


Postimi i plotë

NUK NA NDALIN DOT, NDAJ JANË TËRBUAR NGA DËSHPËRIMI

Krenarë për atë që kemi bërë në kaq pak ditë dhe mirënjohës për gjithkënd që mbështeti dhe besoi tek BINDJA DEMOKRATIKE. Sot jemi realisht shumë më tepër dhe shumë më të fortë se në ditën e parë.
Asnjë peng për ata që u ndanë prej nesh për shkak se u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e BINDJES DEMOKRATIKE.
Shikojeni vetë si janë shpërfytyruar, sa kanë nisur me tërbim një fushatë të egër kundër nesh, që të kujton gjuetinë e nazistëve ndaj ebrenjve, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t’i sulmohen, përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët e deri tek kandidatët e saj për zgjedhjet e 30 qershorit.
Është e pashmbullt kjo që po ndodh, por ajo konfirmon gjithashtu se ne kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur.
E kanë kot. Sepse nuk na ndalin dot, ndaj edhe janë kaq të acaruar.
Nuk ia vlen të merreni me inkuizitorët, ndonëse i njohim me emra, ua dimë edhe zyrat ku i kanë thirrur të penduarit, në prani të dëshmitarëve mediatikë.
Sepse koha e tyre po skadon me shpejtësi. Është koha e BINDJES DEMOKRATIKE.
Shtuar më 21/05/2019, ora 13:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori