Idrizi thumbon Ramën: Jemi në mazhorancë, por nuk është respektuar marrëveshja
Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU) Shpëtim Idrizi ka zhvilluar një takim me strukturat e kësaj force politike në qytetin e Vlorës.

Gjatë fjalës së tij Idrizi u shpreh se PDIU ka votuar reformat e rëndësishme në vend duke mos vendosur asnjë lloj kushti.

Idrizi u shpreh se PDIU ka dhënë votat e saj për reformat e rëndësishme dhe pa asnjë lloj kushti. Sipas tij shqiptarët e Çamërisë janë anti-komunistë dhe PDIU është partia e të gjithë shqiptarëve.

“Ishin votat e PDIU-së që mundësuan miratimin e reformës administrative, ashtu siç kanë qenë votat e PDIU-së, që ne i kemi dhënë për reformën në drejtësi, pa asnjë lloj kushti. Jam i bindur që shqiptarët e Çamërisë janë anti-komunistë.

Jemi e vetmja parti politike, e cila kemi marrë nisma për hapjen e dosjeve, apo për heqjen e medaljeve për diktatorin Enver Hoxha. Unë s’mund të pranoj dot që shqiptarët e Çamërisë, pas 25 vjetësh, të mund t’i përdor dot ndokush për serbatorë votash. Ne jemi anti-komunistë, por ne jemi në shtëpinë tonë”, – tha kryetari i PDIU-së.

Gjithashtu Idrizi u shpreh se PDIU qëndron në mazhorancë për shkak të kauzave dhe jo për shkak të marrëveshjes.

“Unë jam shumë i lumtur sot që Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka qenë nga pikpamja mbështetëse, pjesë e mazhorancës, por ne s’kemi qenë asnjëherë dot pjesë e pushtetit, e megjithatë kemi arritur të shtohemi çdo ditë. Në këto zgjedhje jam i bindur që do t’i dyfishojmë mandatet tona me mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Nëse do të ishte për marrëveshje, ne nuk do të kishim asnjë arsye që të qëndronim në këtë mazhorancë, sepse as 1 % e marrëveshjes që ne kemi bërë nuk është zbatuar.

Por, do të kishim shumë arsye të qëndronim për kauzat për të cilat ne jemi krijuar dhe që kemi gjetur mbështetje në këtë mazhorancë. Ashtu siç kemi qenë kritikë dhe do të jemi gjithmonë për kauzat tona që janë lënë mënjanë, apo janë harruar”, – u shpreh Shpëtim Idrizi gjatë takimit me strukturat në Vlorë, shkruan BW.

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet tha se mbështet votimin dhe numërimin elektronik.

“Ne e dimë shumë mirë që zgjedhjet zhvillohen me një Kod Zgjedhor të bërë nga dy partitë e mëdha politike, që sot po ankohen.

Ne e dimë shumë mirë që Shqipëria po vazhdon të jetë me parimin “Stalinist”, gjithë populli voton, kurse dy partitë e mëdha votojnë dhe PDIU e ka ndjerë këtë gjë mbi kurrizin e saj. Jemi e vetmja parti politike që na është hequr e drejta për të pasur numëruesin dhe kjo është e shkruar edhe në raportin e OSBE-ODIHR-it.

Për sa i përket votimit dhe numërimit elektronik, PDIU ka mbështetur dhe do të mbështesë këtë sistem. Kur vijnë zgjedhjet nuk përgatiten komisionerë dhe numërues, por përgatiten mundësa dhe boksierë.

Do doja sot t’i pyesja partitë e mëdha, se ku ishin në një vit e gjysëm? Komisioni për Reformën Zgjedhore ishte aty dhe nuk u mblodh. Mund të mblidhej në çdo moment nga dy bashkëkryetarët. Unë sot prap jam dakort për votimin dhe numërimin elektronik, por nuk e di nëse është e mundur të bëhet me kohën e mbetur”, -përmendi kryetai i PDIU-së.

Idrizi foli edhe për sulmet e padrejta që janë bërë sipas tij ndaj PDIU-së. “Të gjithë ata që në mënyrë të padrejtë sulmojnë PDIU-në me goditje poshtë brezit, unë e di shumë mirë që frymëzimin e kanë në Athinë.

Nuk ka sot puthadorë të Athinës, që të muAnd të na ndalin në rrugën tonë. Çështja e shqiptarëve të Çamërisë është një çështje e të gjithë shqiparëve dhe fillon nga heqja e ligjit të luftës. As Athina dhe askush tjetër nuk mund të na ndalë në kauzat tona. Ne jemi parti kombëtare”,- tha Shpëtim Idrizi.

Në lidhje me zgjidhjen e çështjes çame kryetari i PDIU-së u shpreh se një studio britanike ka dorëzuar një studim fizibiliteti për rrugët që duhet të ndiqen. Idrizi tha se “është bërë një punë e jashtëzakonshme nëpër të gjitha kancelaritë e botës, për të lobuar dhe dokumentuar çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Nuk është e rastësishme që sot Brukseli zyrtar i kërkon Athinës dhe Tiranës, që të ulen në bisedime për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë”.

Po kështu Idrizi theksoi se është e papranushme që sot të moshuarit nuk lejohen të shkojnë në Greqi, vetëm për faktin se kanë të shënuar vendlindjen e tyre në Çamëri.
Kryetari i PDIU-së foli edhe për një bashkëpunim me të ngushtë ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërkohë që theksoi se PDIU do të mbështesë shqiptarët në Maqedoni, Preshevë dhe Mal të Zi.
09:25, 06/03/2017

Shtuar më 06/03/2017, ora 09:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori