Idrizi: Në Kuvend për të mbrojtur çështjen kombëtare
Shpëtim Idrizi
PDIU ka në themel çështjen kombëtare dhe në veçanti atë çame dhe ne ju garantojmë se do të jemi të vendosur në mbrojtje të këtij interesi", deklaroi sot në Kuvend, Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Në fjalën e tij, Idrizi tha se "do të duartrokasim çdo përparim të tij, ashtu sikur do të jemi kritikët më të rreptë të cënimit të interesit themelor të shqiptarëve në emër të pragmatizmit partiak. Këtë do ta bënim në çdo rast pavarësisht se do të ishim në pozitë apo në opozitë. Ne do të jemi një parti e patriotizmit modern, pro integrimit europian që i forcon shqiptarët përballë fqinjëve, pro pajtimit dhe kundër dialektikës së ashpër politike të brendshme, pro harmonimit mbarë kombëtar", tha ai.

Kreu i PDIU-së theksoi se "ne duam ta shohim në këtë optikë sot të gjithë mandatin tuaj, përbërjen e kësaj qeverie, programin e saj dhe nesër realizmin e këtij programi".

Sipas tij, u bënë 23 vitet që shoqëria shqiptare shpenzon të gjitha energjitë e saj, ngre dhe rrëzon të gjitha shpresat e saj për të arritur në momentin më të rëndësishëm demokratik, sikurse është ardhja në pushtet e një qeverie të re me votën e lirë të shqiptarëve.

"Ky parlament i ri duhet të refuzojë dy kulturat që i kanë dhënë shumë kosto këtij vendi, kulturës së gabuar se historia fillon me mua si dhe kulturës së konfliktit, etiketimit dhe mosrespektimit të njëri-tjetrit", deklaroi Idrizi.

Duke nënvizuar se sfidat janë të përbashkëta, Idrizi tha se "PDIU do të investohet në krijimin e një klime bashkëpunuese dhe të shohim të gjitha bashkë ato që na bashkojnë dhe jo ato që na ndajnë". /albeu.com/
Shtuar më 15/09/2013, ora 15:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori