Një tjetër taksë do të pësojë rritje, ndryshon përsëri çmimi i karburanteve

Qeveria po zbaton këtë vit një tjetër rritje të barrës fiskale për qytetarët, duke indeksuar akcizat e disa produkteve si karburanti, pijet alkoolike dhe kafja. Kjo barrë fiskale në kushtet e rritjes së çmimeve të karburantit dhe energjisë do të bjerë direkt te qytetarët.

Aktualisht në çmimin e naftës përfshihen gati 70% taksa, pjesa tjetër është vlera e produktit, ndërsa me rritjen e akcizës ai do të shtrenjtohet edhe më shumë.

Me futjen në zbatim të skemës së re për indeksimin e akcizës ka nisur një shtrenjtim i ri për të gjitha mallrat e akcizës.

Përveç karburantit, edhe akciza e pijeve alkoolike dhe kafesë këtë vit do të rritet së paku me 2%, aq sa ishte edhe norma mesatare e inflacionit vjetor ne 2021.

Kjo do të thotë një rritje në akcizën e karburanteve me 2-3% në vit, gjë që do të reflektohet në rritjen e çmimit final të produktit. Kjo skemë është një rritje e drejtpërdrejt e taksave dhe pritet t’iu heqë nga duart qytetareve rreth 500 milionë lekë në vit ose 4 milionë euro.

Ministria e financave thotë se një herë në dy vjet akciza do të duhet të rritet me normën e akumuluar të inflacionit të dy viteve paraardhëse. Sipas qeverisë indeksimi i akcizave sipas inflacionit është në kuadër të hartimit të Strategjisë afatmesme të të ardhurave, ku Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rekomanduar indeksimin automatik të tarifave specifike të akcizës së mallrave./bw


Shtuar 11.02.2022 16:04