Identifikohen autorët dhe motivi i krimit për vrasjen në Linzë
Pista kryesore e vrasjes së 30-vjeçarit, Enton Nika, mesditën e së mërkurës në Linzë, mbetet ajo e një konflikti për çështje parash. Mësohet se ky shtetas është qëlluar me armë, pas një sherri në parkingun e një lokali, pronari i të cilit po ashtu mbeti i plagosur.

Kanë qenë katër persona, njëri prej të cilëve i kishte dhënë para borxh pronarit të lokalit, Ismet Gaxherri. Teksa po dilnin nga lokali, pas një pritje prej disa orësh, katër personat e armatosur janë përballur me pronarin e lokalit që shoqërohej nga 30 vjeçari Nika.

Kaq ka mjaftuar që të niste një konfrontim fizik dhe më pas dy prej autorëve, që mbanin pistoleta në duar, kanë qëlluar në drejtim të Nikës, ku mbeti i vdekur.

Policia tha se gjeti në vendin e ngjarjes një gëzhojë, ndërsa pronari i lokalit, Ismet Gaxherri, ishte plagosur nga goditja në kokë me qytën e pistoletës.

Pas krimit, autorët u larguan nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia shoqëroi disa persona, të cilët kanë qenë dëshmitarë okularë, personelin e restorantit, si dhe sekuestroi pamjet e kamerave të sigurisë. /albeu.com/
Shtuar më 12/11/2015, ora 09:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori