Ideja e Rohrabacherit mban gjalle endrren serbe
Albeu.com
Ideja për shkëmbim territoresh është hedhur për të mbajtur shpresat e rreme tek opinioni serb për rikthimin të çështjes së Kosovës, thanë sot zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, duke komentuar idenë e hedhur nga kongresistit amerikan, Dana Rohrabacher, për shkëmbimin e veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës, tha se hapja e çështjes së kufijve në Ballkan do të krijonte efektin domino dhe do të rrënonte arritjet e deritanishme.

Manaj, i cili njëherit është zëvendëskryeministër i vendit, theksoi se kufijtë dhe territori i Kosovës janë të pacenueshëm. “Territori i Republikës së Kosovës është një, unik dhe i pandarë, ashtu siç edhe e definon Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si akti më i lartë juridik i vendit”.

Në konferencën që LDK-ja mban çdo të premte me gazetarë, Manaj u shpreh se propozime të tilla që bëhen në emër të zgjidhjeve të raporteve me Serbinë, apo në emër të stabilitetit dhe qëndrueshmërisë në rajon, janë të papranueshme.

Sipas Manajt, ideja e kongresistit amerikan Rohrabacher mbetet një zë i vetmuar, nuk përfaqëson asgjë dhe askënd, si dhe mund të jetë në gjatësi të njëjtë valësh me forca të ndryshme politike të skenës aktuale në Serbi, së paku për të mbajtur shpresat e rreme tek opinioni serb për rikthim të çështjes së Kosovës.

Ndërsa, duke folur për hetimet e Këshillit të Evropës rreth pretendimeve serbe për trafikim organesh të civilëve serbë, nga kryengritësit shqiptarë gjatë luftës, të bazuara mbi akuzat e ish-kryeprokurores se Hagës Carla del Ponte, Manaj tha se ky proces qëndron mbi një politizim, përkatësisht mbi kërkesën e Del Pontes, por që në fakt demantohet nga vetë rezultatet e hetimeve që ka pasur Gjykata e Hagës më herët në Kosovë dhe në Shqipëri. (express)
Shtuar më 07/08/2009, ora 23:57
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori