Ibrahim Rugova: "Urime viti i ri"
Albeu.com
Me rastin e Vitit të Ri 2006, Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, u ka drejtuar sot një mesazh tradicional urimi qytetarëve të Kosovës.”Qytetarë të nderuar të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,

Në natën e gëzimit të Vitit të Ri, kur të gjithë gjendemi në frymën e festës, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta me dëshirat më të mira për lumturinë Tuaj dhe të Familjeve Tuaja.

Viti që po lëmë pas ishte një vit i progresit të vendit tonë. Suksesi më i madh i vitit që po lëmë pas ishte hapja e bisedave nga bashkësia ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës. Unë insistoj që pavarësia e vendit tonë të njihet drejtpërdrejtë nga miqtë tanë sa më parë.
Zonja dhe zotërinj,

Viti në të cilin po shkelim do të jetë një vit i progresit më të madh të Kosovës, një vit më efikas, më veprues i institucioneve tona për një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe për një mirëqenie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët. Njëherësh do të punojmë së bashku me UNMIK-un për një bartje më të madhe të kompetencave, që tashmë ka filluar. Do të bëjmë përpjekje të kultivojmë marrëdhënie të mira me fqinjët tanë me interes të ndërsjellë.

Në planin e brendshëm do të punojmë më fuqishëm në mbrojtjen dhe integrimin e grupeve etnike apo minoriteteve në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës.

Edhe në këtë natë gëzimi, e themi se njohja më e shpejtë e drejtpërdrejtë e pavarësisë së Kosovës nga SHBA dhe BE, do t’i shpejtonte proceset e brendshme demokratike e ekonomike dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës si dhe vetë popullin e qytetarët e vendit tonë. Pra, një Kosovë e pavarur demokratike e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA, çfarë do të hapte perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik dhe do të bënte Kosovën anëtare të kombeve të lira të botës së lirë.

Qytetarë të nderuar,

Në këtë orë gëzimi i kujtojmë me krenari të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Do të bëjmë një angazhim më të madh për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.

Zonja dhe zotërinj,

Në këtë natë gëzimi, urime të përzemërta u shprehim Kosovarëve në SHBA dhe në vendet e Evropës, që po ndihmojnë progresin e vendit tonë.

Zonja dhe zotërinj,

Në këto momente gëzimi, urime të sinqerta i shprehim UNMIK-ut dhe Zotit Petersen, OSBE-së dhe Ambasadorit Vnent, si dhe ushtarëve të KFOR-it/NATO-s dhe Gjeneralit Valotto që po bëjnë mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës.

Urime të sinqerta u shprehim përfaqësive diplomatike në Kryeqytetin e vendit tonë.

Zonja dhe zotërinj,

Në gëzimin e ndërrimit të moteve, urime të përzemërta për Vitin e Ri i dërgojmë Presidentit Bush, Kryeministrit Blair, Presidentit Chirac, Kancelares Merkel dhe Kryeministrit Berlusconi.

Urim të veçantë i bëjmë Atit të Shenjtë Papa Benedikti XVI, që të lutet për pavarësinë e Kosovës.

Qytetarë të dashur,

Në këtë natë gëzimi t’i bëjmë bashkë dëshirat, vullnetin e mirë dhe veprimet për një Kosovë më prosperuese, më të fortë e më të lumtur.

Dhashtë Zoti që sa më shpejt të gëzojmë njohjen formale të pavarësisë dhe viti që po vjen të mbetet në histori si vit i ndritur i njohjes së pavarësisë të vendit tonë të shtrenjtë.

Me fat Viti i Ri 2006.

Gëzuar.
Zoti Ju bekoftë.
Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës.
Zoti e bekoftë Kosovën tonë të çmuar.”

RTK
Shtuar më 01/01/2006, ora 08:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori