PDIU braktis Edi Ramën
I vranë prindërit me breshëri, flet djali i çiftit nga Gjirokastra
Pëlqej
Vrasja e ciftit në Gjirokastër nga kushëriri i tyre , akoma nuk është harruar nga banorët dhe familjarët.

Apostol Kosta 72 vjeç, vrau me armë dy bashkëshortët, Afërdita 48 vjeçe dhe Aleko Kosta 64 vjeç, ky i fundit, njëkohësisht edhe djali i xhaxhit. Gjithçka ndodhi për një shkallë dhe një copë muri prej katër metrash.

Qyteti i gurtë ishte i shokuar. Por, dhimbjen më të madhe e ka djali i Afërditës, Hari 19 vjeç, i cili vazhdon të jetë i traumatizuar, edhe pse me një dëshirë shpresëdhënëse për të ecur para.

Studenti në vitin e dytë për infermieri në Universitetin e Gjirokastrës, për herë të parë rrëfen për Dritare.net, çfarë ndodhi mëngjesin fatal të mërkurës.

Jeta e tij nuk ka qenë aspak e lehtë. Kur ishte ende 6 vjeç, prindërit e tij divorcohen dhe babai largohet për në Greqi, e krijon një familje të re.

“Mbaj mend që në fillim e përjetova keq, por duke qenë se isha shumë i vogël, nuk kuptoja shumë se çka po ndodhte. Me kalimin e kohës fillova ta ndjeja mungesën e babait, por unë isha me fat. Pasi mamaja ime, ishte vetë burrë e vetë grua dhe ajo më dha dyfish dashuri. Ajo ishte një heroinë, e unë asnjëherë nuk jam ndjerë i vetmuar.

Babai pasi u divorcua nga mamaja, emigroi në Greqi, atje u njoh me një grua tjetër dhe krijoi një familje të re. Së fundmi ai ka ikur në Kanada dhe jeton atje. Unë nuk kisha shumë kontakte me tim atë, ai vinte e shumta 3 herë në vit. Kur isha 12 vjeç, fillova të flisja më tepër me të, nëpërmjet Facebook-ut,”-rrëfen Hari për Dritare.net

Por, vite më pas, nuk do të ishte më vetëm Hari dhe Afërdita. Në jetën e tyre hyri edhe Aleko, për të cilin Hari thotë se i mësoi se çfarë do të thoshte të rriteshe me një figurë mashkullore në shtëpi.

“Kur unë isha në klasë të nëntë, mamaja ime nisi një lidhje të re, e cila zgjati rreth 6 vjet. Ajo u njoh me Alekon gjatë festës së 7 Marsit dhe të dy e donin shumë njeri-tjetrin. Aleko kishte një martesë prej 35 vitesh me një grua, por kur u njoh me mamanë time, ishte në proces divorci.

Në fillim, për mua ishte pak e çuditshme, por ai më pranoi si të isha fëmija i vetë. Për mua ai nuk ishte njerk, përkundrazi Aleko ishte si një baba. Që prej vitit 2012, ne jetonim të tre tek shtëpia e tij. Gjatë asaj kohe, edhe unë fillova të mësohesha me një figurë mashkullore në shtëpi. Më ka mësuar kaq shumë gjëra për jetën dhe mënyrën si unë duhet t’i shoh gjërat,”-thotë Hari me një zë gati të mekur. Dhe në mendje i vijnë kujtimet e asaj dite të tmerrshme.



“Apostoli i kërkoi Alekos që të shtynte pak murin, ai pranoi, por Apostoli në pabesi e shtyu më shumë. Gjatë kësaj kohe, Aleko ishte në Greqi dhe kur u kthye, nuk bëri asgjë, pasi donte të shmangte një sherr. Por, kjo gjë ishte e pamundur. Apostoli e hedh në gjyq, për t’iu njohur pronësia e murit. Ne fituam të dy gjyqet dhe më pas ishte procesi i përmbarimit. Duket se kjo gjë e tronditi Apostolin, ndaj dhe vendosi të kryejë krimin makabër.

Ishte ora 7:30, unë isha duke fjetur. Aleko ishte jashtë duke pritur ardhjen e qumështit, kurse mamaja ishte në haur. Apostoli përfitoi që dera ishte hapur dhe unë dëgjoj zërin e mamasë, e cila thoshte: ‘çfarë do ti me armë’. Më pas zëri i saj u mbyt nga krisma e armës. Mendova se do kishte qëlluar në ajër, jo mbi nënën time. U fsheha pas murit dhe prej aty pashë tytën e kallashit e cila lëshonte plumbat, në drejtim të Alekos, i cili sapo hyri në shtëpi. Gjithçka ndodhi shumë shpejt.



Pasi vrau Alekon dhe mamanë time, Apostoli po më kërkonte mua, donte të më vriste. Duke qenë se nuk më gjeti dot, hoqi siguresën e granatës dhe hodhi benzinë. Nuk është e vërtetë ajo çka u shkrua në portale, sikur ai më kishte takuar dhe më tha që nuk kishte asgjë me mua. Ai erdhi me mendje të kthjellët, që të na asgjësonte të gjithëve dhe të digjte shtëpinë, kishte një gjakftohtësi të frikshme.

Fatmirësisht granatat nuk shpërthyen, e vetmja gjë që mendova në ato momente ishte të merrja policinë e gjyshërit e mi. Më pas po kërkoja mamanë, mendova mos ishte fshehur gjëkundi. Vetëm kur shkova në haur dhe pashë trupin e saj të mbuluar me gjak. Për një moment ngriva, nuk bëja dot asnjë lëvizje.”



Hari ndalon për disa çaste rrëfimin e vetë, e pyes nëse mund të vazhdojë më tepër dhe menjëherë më kthehet me zë të pikëlluar:

“Më ka marr malli për nënën time, për dhembshurinë dhe merakun e saj. Unë do të bëhem i zoti i vetes sime, vetëm për të. Vetëm këshillat, fjalët e saj më kanë mbetur prej saj. Dhe Zoti më la gjallë për një qëllim, të plotësoj dëshirat e mamasë.”

Për Harin tani e rëndësishme është që autori të marr dënimin që meriton.

“Kur ngjarja ishte ende e freskët, mendoja vetëm për hakmarrje, inati qëndron brenda meje, edhe pse nuk e shfaq është shumë i madh. Në atë shtëpi nuk është tharë akoma gjaku i mamasë, e si mund të mos kem unë mëri?!

Ai gjykohet për të paktën katër akuza, dhunim banese, vrasje të dy personave, armëmbajtje pa leje, si edhe tentative vrasje për mua. Për mua duhet t’i jepet dënimi me vdekje. Por, këto a nuk janë një arsye e fortë, që ai të kalbet në burg?

Ndërkohë, sot nuk e mendoj hakmarrjen. Nëse rrethanat do të ishin ndryshe, e unë do të kisha një pistoletë në shtëpi, do ta qëlloja pa e menduar dy herë.”


Hari thotë për Dritare.net se ndjehet i frikësuar, pasi mund të hapet një cikël gjakmarrje.

“Frika qëndron, sepse i thonë hasmëri, dikush nga fisi i tij mund të më vrasë mua, që të mbyllet ai prag. Hakmarrja nuk është diçka e panjohur, edhe unë nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Ndaj ndjehem i pasigurt.”

Hari jeton me gjyshërit e vetë të cilët janë në moshë të thyer. Por, 19 vjeçari është i vendosur për tu larguar nga Gjirokastra, “është qytet i bukur, por më jep veç dhimbje”, duke synuar Tiranën për të vazhduar masterin, ose të largohet në Kanada tek i ati.

Edhe pse i morën padrejtësisht një pjesë të vetes, përsëri Hari dëshiron të jetojë, do të jetojë për të, për mamanë e vetë. Pasi ajo e sheh që lart dhe synimi jetës së 19 vjeçarit është ta bëjë krenare, duke i premtuar se do jetë çuni i saj model.

“Nga gjithë kjo ngjarje, te unë ka ndryshuar shumë mënyra se si unë i shoh gjërat. Mundohem të jem sa më optimist, unë e di që jeta vazhdon, kjo ishte një fatkeqësi dhe unë tani nuk kam çfarë të bëj. Edhe pse jam i rrethuar nga miq shumë të mirë, të cilët më ngushëllojnë, përsëri në fund të ditës, unë ndjehem i vetmuar. Qelqi që thyhet nuk mund të ngjitet, edhe nëse ndodh, dihet që është i thyer. Do të mundohem ta kaloj, por e di shumë mirë që do jetë plagë që do më shoqërojë sa të kem jetën.

Sot e vetmja gjë që më bën të buzëqesh është fakti që jam gjallë, vlerësoj çdo frymëmarrje si edhe që kam mundësinë t’i bëj gjërat ndryshe. Të jem dikush në jetë e të bëj krenare mamanë time,”-mbyll rrëfimin e tij Hari, teksa nxiton për të kapur orën e mësiit./Dritare net/
Shtuar më 21/11/2017, ora 17:29

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori