Tritol shtëpisë të badigardit së Sali Berishës

Mbrëmë në mesnatë i është vendosur tritol në banesë nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës, Vendim Demaj. Lajmin e ka bërë me dije zyra e shtypit e PD

Në momentin e ngjarjes, ai dhe familja e tij nuk ndodheshin në banesë, raportojnë burimet nga selia blu.

Në një njoftim për mediat, PD bën me dije:

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi rritjen e dhunës kundër kundërshtarëve politkë dhe përfaqësuesve të opozitës. Mbrëmë në mesnatë është vendosur tritol në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës, Vendim Demaj. Fatmirësisht, ai dhe familja e tij nuk ndodheshin në banesë.

Policia e Shtetit po e fsheh këtë ngjarje të rëndë dhe deri tani nuk ka asnjë të dhënë për agresorët.

Bashkia e Kamzës prej kohësh është vënë nën sulmin verbal të kryeministrit Rama dhe disa strukturave të tjera të pushtetit. Por vendosja e tritolit në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës përbën një përshkallëzim të agresionit ndaj kundërshtarëve politikë të regjimit të Edi Ramës.

Fshehja e ngjarjes nga policia nuk i kontribuon as zbardhjes së saj e as kthimit të qetësisë në Kamzës. Ajo vetëm sa shton mosbesimin e qytetarëve ndaj forcave të policisë.

Nëse do të vijohet edhe më tej duke fshehur ngjarjen, jo vetëm familja e Vendim Demajt, por të gjithë qytetarët e Kamzës do të identifikojnë tek Policia e Shtetit bashkëpërgjegjësin kryesor, që në aleancë me krimin e organizuar, po rrezikon përditë sigurinë e tyre.

Partia Demokratike e Shqipërisë do të mbajë përgjegjës Edi Ramën për çdo akt dhune dhe agresioni ndaj përfaqësuesve të saj politikë. Çdokënd tjetër me përgjegjësi ligjore që me veprimin apo mosveprimin e tyre mundëson akte të tilla dhe pengon ndëshkimin e autorëve, e paralajmërojmë se ne as nuk falim e as nuk harrojmë. Ora e drejtësisë do t’u trokasë shumë shpejt!”

Njoftimi i policisë
Tiranë

Më datë 04.08.2019, rreth orës 23.30, tek kthesa Kamzës në katin e tretë të një pallati, në pjesën e derës së banesës së marrë me qera nga shtetasi P.Gj, ka shpërthyer një sasi e vogël lënde e dyshuar plasëse, ku në momentin e shpërthimit brenda në banesë nuk ka pasur njeri dhe si pasoje ka vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethaneve të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Metarialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”

Vetë Demaj është shprehur se në konflikt është vetëm më Edi Ramën dhe me askënd tjetër.

“Sipas telefonatave të komshinjve, ka qenë ora 23:30 (shpërthimi). Fatmirësisht as unë dhe as komshiu nuk kemi qenë në banesë, por me pushime. Janë thyer të gjitha xhamat e 5 kateve dhe janë shkatërruar dyert. Unë jam në konflikt të vazhdueshëm me qeverinë e këtij fashisti, Edi Rama, dhe cubat e Lleshajt. Asnjë konflikt nuk kam patur në 40 vite. I vetmi konflikt është me ‘Llesh kimikun’ dhe Edvin Ramën”, tha Demaj.

Ai tregoi se do të paraqitet në polici për të vijuar me procedurat, si dhe theksoi sërish se nuk ka asnjë konflikt personal.
Shtuar më 05/08/2019, ora 15:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori