I vendosi tritol kryetarit të bashkisë, arrestohet 37-vjeçari në Mat
Policia e Matit ka vënë në pranga autorin e dyshuar për vendosjen e eksplozivit në dy ngjarje në Burrel.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se ai është shtetasi Eltion Daçi, 37 vjeç, lindur e banues në Burrel, Bashkia Mat.

Ai ishte shpallur në kërkim për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës" dhe "Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

Njoftimi i plotë i policisë

Burrel.

Policia e Matit arreston 37 vjeçarin nga Burreli si autor i dyshuar i dy ngjarjeve të fundit me lëndë shpërthyese të ndodhura në qytet

Efektivat e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim apo autorë të ngjarjeve të ndodhura më parë, dje rreth orës 18.00, në qytetin e Burrelit kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit:

Eltion Daçi, 37 vjeç, lindur e banues në Burrel, Bashkia Mat.

Ai ishte shpallur në kërkim për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës" dhe "Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

Kapja dhe ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat gjatë ditës së djeshme ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest me burg “, për veprat penale të cituara.

Nga veprimet hetimore të kryera nga Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat, rezulton se ky shtetas dyshohet të jetë autor i ngjarjes së datës 25 tetor 2017 ku është vendosur lëndë plasëse në oborrin e një mobilerie në qytetin e Burrelit, si dhe i ngjarjes së ndodhur në datë 4 nëntor 2017 ku është vendosur lëndë plasëse në shesh pushimin e pallatit në katin e katërt para banesës së kryetarit të bashkisë Mat.

Materialet hetimore do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat për hetime të mëtejshme edhe për veprat penale "Shkatërrim i pronës me eksploziv", e "Mbajtje pa leje të lëndëve plasëse", parashikuar nga nenet 152 e 278/2 të Kodit Penal.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të motiveve të këtyre ngjarjeve kriminale. /albeu.com/

Shtuar më 11/11/2017, ora 09:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori